Hovenier: Nuk mbështesim marrëveshje që kërcënon sovranitetin e Kosovës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.
“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier, shkruan REL.
Ai i bëri komentet pas një diskutimi që organizoi të martën Ambasada amerikane në Prishtinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni një etnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.
Hovenier tha se SHBA-ja pret që “Kosova t’i përmbushë obligimet e saj”.
“Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik, dhe siguron të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovenier.
“Kjo është vendimtare, kjo është e rëndësishme, kjo është urgjente”.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike, për t’u siguruar se ai funksionon në interes të të gjithë kosovarëve”, shtoi ai.
LEXONI GJITHASHTU:
“Bandë nihiliste”- Zeka sulmon ashpër Kurtin: Një anti-kosovar dhe anti-amerikan
Plenkoviç kundër presidentit kroat: Kosova nuk u aneksua nga ndërkombëtarët