October 25, 2021

Huatë dhe makinat vënë në vështirësi gjyqtarin Desart Avdulaj

Shpërndaje lajmin

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Desart Avdulaj u përball në KPK me pyetje mbi burimet e ligjshme të katër huadhënësve dhe disa transaksione të komplikuara. Avdulaj këmbënguli se pasuria ishte e ligjshme dhe kërkoi rihapje hetimi në dy kriteret e tjera.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Durrës Desart Avdulaj pas seancës dëgjimore. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të premten seancën dëgjimore ndaj aktualisht drejtuesit të Gjykatës së Apelit në Durrës Desart Avdulaj. Trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Brunilda Bekteshin njoftoi se rivlerësimi për Avdulajn ishte bërë vetëm në kriterin e pasurisë.

Gjatë relatimit Pine theksoi problemet me justifikimin e burimit të ligjshëm për 70 mijë euro hua nga katër persona, dy vëllezër, një kushëri dhe një i njohur, dyshimet mbi pronësinë e fshehur të një makine blerë nga i vëllai dhe pamundësinë financiare në disa vite. KPK po ashtu përmendi edhe dyshimet për konflikt interesi në një çështje që po shqyrtohet në Gjykatën e Apelit në Durrës.

Para fillimit të relatimit gjyqtari paraqiti prova shtesë dhe i kërkoi Komisionit rihapej të hetimit për dy kriteret e tjera. Ai këmbënguli në fjalën e tij se pasuria ishte e ligjshme dhe se huadhënësit po ashtu kishin pasur të ardhura që i justifikonin huat. Avdulaj kundërshtoi dyshimet për pasuri të fshehur dhe ato për konflikt interesi, ndërsa tha se dosja në fjalë nuk ishte lexuar prej tij dhe emri i tij në sistemin elektronik si gjyqtarë i saj ishte një gabim teknik.

Avdulaj u pyet gjatë edhe prej vëzhguesit ndërkombëtar Steven Kesser, i cili këmbënguli kryesisht të kuptonte marrëdhëniet mes tij dhe huadhënësve. Kesser madje e pyeti gjyqtarin edhe nëse e dinte se si kishte shkuar biseda mes të vëllait dhe të fejuarës së tij mjeke në Çeki, mbi një hua 10 mijë euro që gjyqtari kishte marrë në vitin 2010.

Desart Avdulaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2013, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Durrësit.

Burimet e financimit të apartamentit

Hetimi i KPK në pasurinë e Avdulajt ishte fokusuar te një apartament 169.8 metra i blerë në vitin 2015 për 101 mijë euro, i financuar kryesisht përmes 4 huave 70 mijë euro dhe 31 mijë euro prej kursimeve të vetë gjyqtarit dhe bashkëshortes.

Pine tha gjatë fjalës së saj se nga deklarimet vjetore kishte rezultuar se Avdulaj kishte kursyer në total 6.1 milion lekë nga viti 2003 deri në vitin 2015, por pas hetimit dhe analizës financiare të bërë nga Komisioni të justifikuara sipas hetimit rezultuan vetëm rreth 2.6 milion.

KPK cilësoi si të pa justifikuara 1 milion lekë që bashkëshortja kishte sjellë me vetë në fillim të martesës, gjysma si dhurim nga prindërit dhe gjysma si kursime prej pagës së saj. Avdulaj këmbënguli se këto para ishin të ligjshme. Ai tha se familja e bashkëshortes kishte pasur burime alternative të ardhurave, përfshi ato nga bujqësia, por për të cilat nuk kishte dokumentacion. Ai po ashtu tha se një shumë rreth 325 mijë lekë ishin të ardhura të dhuruara nga të afërmit me rastin e martesës.

Në relatim Pine cilësoi të pa justifikuara edhe kursimet e vetë gjyqtarit, pasi siç doli nga fjala e saj, prej tyre nuk ishin marrë në konsideratë 10 mijë euro hua nga vëllai në Çeki në vitin 2010 dhe një pjesë ishin zbritur prej viteve kur Avdulaj rezultonte me bilanc negativ.

Avdulaj kundërshtoi moskonsiderimin e huasë si e ardhur. Ai tha se paratë vëllai i kishte marrë hua nga e fejuara, më pas bashkëshortja e tij, dhe se ata të dy kishin pasur të ardhura të mjaftueshme në atë periudhë. Përmbledhtazi Avdulaj tha se nga analiza që ai bënte kursimet në vlerën 6.1 milion kishin qenë të mundura.

Por Avdulaj sipas KPK nuk justifikonte burimet e ligjshme as për 70 mijë euro hua të marra në vitin 2015 përkatësisht, 10 mijë euro nga vëllai në Çeki, 20 mijë euro nga vëllai në Tiranë, 15 mijë paund nga një kushuri në Angli dhe 20 mijë euro nga ortaku i vëllait në një kompani përmbarimi privat. Të katër huatë ishin marrë pa interes për 10 vjet.

Në relatim Pine vuri në dukje hetim të detajuar të pasurive dhe mundësive të huadhënësve. Sipas saj asnjë prej tyre nuk kishte pasur mundësi për të dhënë huan, pavarësisht të ardhurave.

Pine vuri në dyshim mundësinë e vëllait që jetonte në Shqipëri për huan duke vënë në dukje se në të njëjtën kohë ai kishte marrë vetë disa kredi konsumatore dhe po ashtu kishte paguar një kredi për një banesë të blerë nga babai. Ajo po ashtu vuri në dyshim edhe pagën që vëllai i subjektit kishte marrë nga kompania përmbarimore.

Avdulaj i kundërshtoi gjetjet. Ai tha se vëllai ishte larguar nga një punë në bankë dhe se puna e re normalisht do kishte një rrogë më të lartë. Ai tha se kontrata e punës ishte nënshkruar mes vëllait dhe kompanisë dhe nuk kishte pse ajo të vihej në diskutim. Ai po ashtu pretendoi se kreditë që vëllai kishte marrë, nuk ndikonin te huaja që i kishte dhënë Avdulajt.

Relatorja vuri në dukje se pas një hetimi të detajuar kishte rezultuar edhe se pronari i kompanisë së përmbaruese nuk kishte pasur burim të ligjshëm për huan pavarësisht të ardhurave të konsiderueshme, pasi në të njëtën kohë kishte dhënë një sërë huash të ngjashme dhe se të ardhurat e ligjshme nuk mbulonin edhe huanë për Avdulaj.

Në relatim për këtë rast Pine vuri në dukje se Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Tiranë kishte sjellë tre herë informacione të ndryshme mbi një ndarje dividenti të kompanisë B.S.A. Sipas KPK në një përgjigje për Komisionin shuma ishte 28 milion, në një përgjigje për ILDKPKI 11 milion dhe në përgjigje të një shkrese të trupës 76 milion. Pine tha se tatimet nuk sollën në asnjë rast dokumentet justifikuese për këto shuma. Komisioni verifikoi vetë dividentin siç ishte deklaruar nga asambleja e ortakëve dhe i rezultoi një shumë neto prej 23 milion lekësh.

Mbi këtë pikë Avdulaj paraqiti një provë të re. Ai tha se kishte sjellë një dokument sipas të cilit kompania BSA i kishte huazuar pronarit të saj një shumë prej 24 milion lekësh në këtë periudhë. Ai tha se personi në fjalë i kishte pasur mundësitë financiar për huadhënien. Ai i kërkoi KPK t’i referohej Kolegjit për këtë çështje. Sipas tij KPA kishte arsyetuar se huaja duhej të konsiderohej nga burim i ligjshëm nëse të ardhurat e ligjshme e mbulonin atë.

Pine rrëzoi si pa burim të ligjshëm edhe huan e vëllait në Çeki. Sipas relatores ky i fundit po ndiqte studimet në Pragë dhe bursa e të ardhurat e tjera të tij nuk ishin të mjaftueshme për të dhënë huan. Ajo vuri në dukje se disa të ardhura të pretenduara nuk ishin dokumentuar.

Avdulaj tha se i vëllai kishte ndjekur doktoraturën në Pragë dhe se gjatë kësaj kohe kishte punuar për universitetin, kishte përfituar disa grande dhe se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme. Avdulaj tha se i vëllai dhe bashkëshortja jetonin në një dhomë me qira të lirë që u ishte ofruar nga spitali i Pragës në të cilin punonte bashkëshortja e të vëllait. Ai tha se kostot e tyre të jetesës ishin më të ulëta se ato të llogaritura nga KPK.

Një përplasje e ngjashme ishte edhe për burimin e ligjshëm të pasurisë së një kushëriri në Britaninë e Madhe. KPK tha se në fund të hetimit të ardhurat e tij nuk ishin dokumentuar, ndërsa Avdulaj këmbënguli se ai kishte pasur mundësi të kursente dhe kishte jetuar i vetë. Avdulaj pranoi se disa nga dokumentet nga Britani nuk kishin ardhur ende në formën e kërkuar nga ligji, por tha se ishin depozituar nga një avokat në Britani dhe pritej të mbërrinin të apostilizuara.

Vëzhguesi ndërkombëtar Kesser këmbënguli me disa pyetje në këtë pikë. Ai vuri në dukje se kushëriri i kishte dhënë Avudlajt një pjesë të mirë të ardhurave vjetore dhe gati 64 për qind të kursimeve në mënyrë që Avdulaj të blinte një apartament në qendër të Tiranës dhe të bënte investime luksoze. Kesser tha se kjo i dukej e çuditshme.

Avdulaj tha se nuk kishte asgjë të çuditshme, ndërsa këmbënguli se huatë ishin marrë për shkak të pamundësisë dhe ofertave jo të mira për kredi. Ai tha se për shkak të procesit të vetingut bankat i kishin refuzuar kredidhënien, por tha se kjo ishte bërë gojarisht dhe ai nuk e provonte dot. Avdulaj këmbënguli se menjëherë sapo pati mundësinë mori kredi dhe shleu tre nga 4 huatë brenda 2 viteve edhe pse ato ishin marrë për 10 vjet.

KPK nuk vuri në dukje total të mungesës së burimeve të ligjshme mbi këtë pasuri, por nga relatimi u la të kuptohej se një pjesë e kursimeve të përdorura për të dhe për investimin në sistemin e kondicionimit dhe huatë nuk ishin konsideruar deri në atë moment si të justifikuara.

Makinat dhe transaksionet e komplikuara

Një tjetër problem i Avdulajt rezultoi nga një makinë e blere nga K.A, njëri prej vëllezërve të tij që jetonte në Çeki. Makina ishte blerë për 17 mijë euro në vitin 2010 dhe si burim K.A kishte deklaruar një hua nga kushëriri që jetonte në Britani.

Procedurat për blerjen e makinës ishin kryer me prokurë nga J.A, vëllai tjetër i subjektit që ndodhej në Shqipëri. KPK tha se nga hetimi rezultoi se Avdulaj ishte përfituesi i një sigurimi kasko për këtë automjet, i cili nuk ishte deklaruar. Po ashtu sipas KPK rezultonte se Avdulaj kishte një kontratë huapërdorje për mjetin dhe se në emër të tij kishte polica sigurimi edhe pas përfundimit të kësaj kontrate.

Pine tha se rezultonte se vëllai që ndodhej jashtë Shqipërisë nuk e kishte përdorur vetë makinën, për blerjen e të cilës kishte marrë borxh, ndërsa ngriti dyshime se ajo ishte pasuri e fshehur. Pine tha se nuk kishte dokumentacion që të tregonte se vëllai kishte marrë apo kishte kthyer huan ndaj kushëririt.

Avdulaj pranoi se transaksionet në këtë rast ishin të komplikuara, por pretendoi se bëhej fjalë për një makinë që vëllai e kishte blerë për prindërit dhe e kishte lënë në përdorim të tyre dhe vëllait tjetër që jetonte me ta. Ai tha se kontratën e huapërdorjes e kishte bërë për shkak se e kishte përdorur makinën jashtë vendit, ndërsa prindërit dhe vëllai tjetër nuk kishin një të tillë pasi nuk kishin kaluar kufirin me këtë makinë.

I pyetur për faktin se përse vëllai do shpenzonte për një makinë të tillë që nuk e përdorte vetë dhe për të cilën në momentin e blerjes nuk i kishte pasur paratë Avdulaj arsyetoi me pritshmëri ekonomike. Ai tha se vëllai kishte pritshmëri të mira për punën e tij dhe se tani punonte në bursën e Frankfurtit. Ai tha se makina ishte dhuratë për prindërit dhe se ata kishin qenë përdoruesit kryesorë të saj.

Ngjashëm rezultoi për KPK edhe marrëveshja për përdorimin dhe më pas blerjen e një mjeti gjuetie. Siç u la të kuptohej bëhej fjalë për një makinë të marrë në përdorim nga një person në vitin 2009 dhe të blerë disa vjet më vonë nga subjekti për 200 mijë lekë.

KPK vuri në dyshim transaksionin ndërsa tha se ai rezultonte me i lirë se taksat e paguara kur makina ishte futur në Shqipëri, rreth 320 mijë lekë dhe se ndërkohë personi që e zotëronte atë fillimisht nuk e kishte përdorur.

Avdulaj theksoi se ai vetë e kishte përdorur vetëm në një rast makinën. Ai po ashtu pretendoi se blerja ishte bërë pasi makina kishte qëndruar disa vite e papërdorur.

Një armë gjuetie, shpenzimet për kondicionimin e shtëpisë dhe një makinë tjetër u gjetën nga KPK po ashtu me mungesë burimesh. Avdulaj pretendoi se ato mbuloheshin nga të ardhurat e tij.

Ndërkohë ai u pyet gjatë nga vëzhguesi në lidhje me një hua nga vëllai në vitin 2010 dhe justifikimin e saj. Një pjesë e pyetjeve që u përsëritën edhe për huatë e tjera kishin të bënin me motivin dhe gjendjen emocionale të huadhënësve. Avdulaj u përgjigj duke përsëritur kryesisht ato që tha në mbrojtjen e tij.

Huaja sipas Avdulajt ishte marrë për të paguar një master jashtë vendit, por kur ky nuk ishte bërë i mundur paratë ishin mbajtur cash dhe ishin kthyer në vitin pas ardhës. Ai tha se ato duhej të konsideroheshin të ligjshme, edhe pse pasaktësisht nuk ishin deklaruar si gjendje në fund të vitit 2010. Avdulaj iu referua KPA, duke pretenduar që si provë të mbahej parasysh se nuk kishte pasur shpenzime për të cilat të shërbenin këto para.

Në fund Avdulaj rikërkoi hapje të hetimit. Ai tha se kishte punuar me pasion dhe se besonte që me të dhënat e sjella e kishte bindur KPK që pasuria e tij ishte nga burime të ligjshme. Avdulaj tha se nuk kishte asnjë problem me hetimin, përkundrazi e vlerësoi atë duke shtuar se i ishin respektuar të drejtat dhe i ishte dhënë kohë kur kishte kërkuar. KPK tha se seanca për vendim do mbahej në 26 maj në orën 9.30.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *