Humbja e Kosovës ndaj Sllovenisë dhe trukimet në baste, Presidenti i skuadrës shqiptare merr dënimin e rëndë

Share

Një situatë e paprecedentë është regjistruar në futbollin Kosovar. Presidenti i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi është dënuar nga Komisioni i Disiplinës me 1 vit përjashtim nga aktivitet futbollistike, për shkak të një interviste të dhënë për median kosovare ‘’Insporti’’, ku aludonte në lidhje me humbjet e përfaqësueses së Kosovës.

Ejupi nuk nguroi të ngrinte dyshime edhe për trukime në baste, teksa kjo gjë i ka kushtuar shtrenjtë atij. Numri 1 i klubit kryeqytetas nuk do të ndjekë dot nga stadiumi për 1 vit.

“Është dashur të mbahet Kuvendi, ka keqpërdorime shumë të mëdha. Shume herë kemi kërkuar që të bëhet një auditim nga jashtë, të pavarur, por jo auditim që e bëjnë ata sipas dëshirës së tyre, thirren se është një auditim i rregullt, por nuk është ashtu. Është një injorancë totale aty brenda. Është një pjesë, një strukturë që punon për interesa personale, kështu që lë shumë për të dëshiruar.

Si humbja e Përfaqësueses së Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut, me atë humbje ne kemi humbur 15 milionë euro. Lë për të dyshuar pse futbollistët nuk arritën të grumbullohen, pse në momentin kyç u infektua përzgjedhësi Bernard Challandes, besoj që nuk ka pranuar të jetë pjesa e ndeshjeve. Shumë ka dyshime të mëdha se si është humbur edhe ndeshja me Slloveninë, lëri pastaj dyshime në bastore”, u shpreh Ejupi në deklaratën e tij për ‘’Insportin’’.

Vendimi:

REMZI  EJUPI; kryetar i FC PRISHTINA  nga Prishtina për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj  dënohet me ndalesë në kryerjen e të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës  në kohëzgjatje për ; 1 (një)  vit .

Arsyetimi:

Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në rastin e shqyrtimit të rastit për bazë pati të gjitha shkrimet e publikuara  si dhe incizimet televizive të transmetuara në; Insport.com (gazetë online) nga ana e kryetarit  të FC Prishtina, z. Remzi Ejupi i cili shpif dhe përhap të pavërteta për Federatën e Futbollit të Kosovës në pretendimet e tij të cituara përmes fjalëve; “skandali“ “keqpërdorimet”, “privatizimi“ , “grup njerëzish”, “infektimi i përzgjedhësit Bernard Challandes”, “humbja e ndeshjes ndaj Sllovenisë” dhe “dyshimet në bastore” e të tjera, për të cilat z. Remzi Ejupi ishte i obliguar që në kohën e përcaktuar nga ana e Komisionit të sjellë fakte dhe të sigurojë prova për të gjitha këto të thëna, por  një gjë e tillë nuk ndodhi, andaj komisioni disiplinor i shkallës së parë duke respektuar Dispozitat e Rregullores disiplinore;  neni 61 Paragrafi 1 pika b; sjellë vendimin e lartshënuar për dënimin e z. Remzi Ejupi kryetar i FC Prishtina  me ndalesë për kryerjen e të gjitha  funksioneve zyrtare në klub në kohëzgjatje për; 1 (një) vit  në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Këshilla juridike:

Pala e pa kënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komisionit disiplinor të shkallës së dytë; komisionit për ankesa në afatin kohor prej 8 (tetë) ditëve nga data e sjelljes së vendimit, respektivisht pranimit të tij. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.

Prishtinë, datë 13.01.2021

Komisioni disiplinor; shkalla e parë, kryetari  Met  Çeku.


Share

Komente