I hapën portën Kukësit, Ilir Daja surprizon me deklaratën pas ndeshjes

Share

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, u shpreh i lumtur për triumfin 1-2 që skuadra e tij arriti në transfertë ndaj Kukësit. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, tekniku kryeqytetas, foli edhe për episodin e rrallë të regjistruar në fundin e ndeshjes, duke u shprehur:

RASTI I RRALLË NË FUNDIN E NDESHJES- Nuk e merr vendimin vetëm trajneri, e morëm të gjithë unanim. E morëm në respekt të lojës korrekte, në respekt të “Fair Play”-t, asnjë më shumë.

Është e panevojshme ta zgjasim këtë moment. Nuk ishte gabim i Muratajt që shkoi drejt golit, ishte një moment në shpejtësi e sipër. E pamë që lojtarët e Kukësit nuk reaguam, vazhduam dhe iu thamë lojtarëve tonë që të linin golin për të respektuar “Fair-Play”-n. Besoj që ishte fitore e merituar. Në pjesën e dytë, pothuajse e kemi mbajtur Kukësin në gjysmën e fushës së vetë. Mund ta kishim dyfishuar më shpejt rezultatin në qoftë se lojtarët tanë do të ishin treguar më altruistë.

Nuk janë vendime që ke shumë kohë t’i gjykosh gjërat me qetësi. Ne e bëmë në respekt të Kukësit. Nuk donim një gol të dytë të pamerituar. Nuk kishim shumë minuta që të qetësoheshim dhe të merrnim vendimin. U respektua “Fair-Play”, për këtë duhet të na përgëzoni. Mund të kishte zgjidhje të tjera. Vendimin e morëm në mënyrë kolegjiale.

NDESHJA- Përballë kishim një ekip si Kukësi, që ka lojtarë cilësorë me goxha eksperiencë dhe me cilësi individuale. Përballë Kukësit gjithmonë janë lojëra të vështira. Kukësi është nisur për objektiva madhore. Pjesa e parë ishte jo aq e mirë sa e dyta. Prishëm ca gjëra nga manovra.

Gjatë kësaj jave nuk kemi punuar në aspektin taktik. I kishim oraret ngjitur në kompleksin ku stërviteshim, kjo nuk na lejonte të stërviteshim taktikisht. Për këtë arsye kemi komunikuar vetëm në seancat teorike. Sot iu kam thënë që të luani për vetën tuaj. Kjo javë ka qenë pa orientime taktike, ndoshta prandaj u krijuan disa probleme, për të bërë presingun apo tranzicionin negativ.

GOLI- Në pushimin e ndeshjes kemi bërë diçka që unë nuk mund ta them, se dua ta përdor edhe në ndeshjet e tjera. Nuk e them dot se çfarë iu kërkova lojtarëve.

TITULLI- Ne kemi ngushtuar diferencën me Vllazninë. Vazhdojmë të jemi aty ku kemi qenë më përpara. Tani duhet të jemi akoma më shumë me këmbë në tokë. Kampionati është i gjatë. Të paktën me 4 ekipe. Kukësi dhe Tirana kanë bërë një hap mbrapa. Duhet të jesh gjithë kohës me motivime maksimale. Na duhet të jemi dhe akoma më të përqendruar.


Share

Komente