I infektuar me COVID-19, shuhet regjisori i njohur Muharrem Fejzo

Share

I infektuar me Covid-19, ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare regjisori Muharrem Fejzo. Lajmin e trishtë e ka dhënë i biri, Joe Fejzo me anë të një postimi në rrjete sociale.

Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë pasi kreu studimet në degën e aktrimit nga pasioni i madh që kishte për kinemanë. Muharrem Fejzo kontribuoi edhe si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit.

Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.

Ai mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i madh”.


Share

Komente