October 25, 2021

ILD për deklaratën e Çuçit: Mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve po kthehet në traditë

Shpërndaje lajmin

Inspektori i Lartë i Drejtësisë reagoi ndaj deklaratave të Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi i cili fajësoi magjistratët si përgjegjës kryesorë të situatës së pandëshkueshmërisë së shkelësve të ligjit që fundjavën e kaluar sollën dy ngjarje me bilanc tragjik në jetë njerëzish, si dhe kërkoi që institucionet e kontrollit të veprojnë sa më shpejtë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani. Foto: LSA

Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD reagoi të hënën ndaj deklaratave publike të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili e pasoi tek magjistratët që nuk kanë kaluar ende procesin e vetingut, përgjegjësinë për ngjarjet e fundit – ku një familje me katër anëtarë u shua në një aksident tragjik mëngjesin e të premtes në autostradën Fier-Vlorë, ndërsa një ditë më vonë përfshirja në një përleshje me armë e dy pronarëve të dy hoteleve në Velipojë, solli vrasjen e katër personave dhe dy të plagosur.

Gjatë deklaratës së tij, ministri Çuçi theksoi se nevojitet një reagim i shpejtë nga ana e ILD-së dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit të drejtësisë për kontrollin e këtyre magjistratëve.

“ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive”, citohet në njoftimin e këtij institucioni të shpërndarë nga këshilltarja për mediet pranë ILD, Mimoza Koçiu.

ILD sjell në vëmendje se e ushtron aktivitetin për kontrollin e shkeljeve të magjistratëve, në ekuilibër midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.

“Këto parime duhet t’i respektojë çdo institucion në vend, si standarde dhe vlera të një shoqërie demokratike dhe të garantimit të shtetit të së drejtës. Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor”, thekson ILD dhe shprehet e hapur për të pranuar nga çdo institucion ankesa në lidhje me sjelljen e magjistratëve.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi të hënën se, megjithëse policia ndalonte personat që shkelin ligjin, dënimin e tyre e jep gjykata.

“Ditët e fundit jemi tronditur të gjithë nga dy ngjarje të njëpasnjëshme: Një aksident tragjik rrugor me pasojë katër jetë njerëzish si rezultat i shkeljes së çdo rregulli shpejtësie nga ana e vrasësit dhe një tjetër ngjarje me armë zjarri, ku humbën jetën katër persona për një parcelë plazhi në Velipojë”, tha Çuçi.

Ai vijoi se e mirëkuptonte plotësisht shqetësimin publik që kanë krijuar këto dy ngjarje, si edhe ankesën e zëshme ndaj Policisë së Shtetit, por shtoi se Policia e Shtetit, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve.

Çuçi tha se këto dy raste fatale kërkojnë reflektim nga të gjithë, përfshirë dhe Policinë e Shtetit dhe drejtoi gishtin drejt gjyqësorit si përgjegjës për mosndëshkimin e paligjshmërive.

“Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e vetingut dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon gjykata”, theksoi ministri Çuçi.

Ai solli në vëmendje masat e marra së fundmi nga policia kundër armëmbajtes pa leje, ku sipas tij prokurorët dhe gjyqtarët, disa prej të cilëve i përmendi me emra, kishin liruar të ndaluarit.

“[…]në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje tri shtetas, […] fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie”, tha Çuçi dhe vijoi se, pavarësisht shtrëngimeve të reja të futura rishtazi në Kodin Rrugor, vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit.

Ai i konsideroi evidentimin e këtyre rasteve si “shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë” dhe jo si ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura.

Ndaj deklaratës së ministrit Çuçi reagoi nëpërmjet një njoftimi për shtyp edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier. Në njoftim thuhet se ka qenë prokurori i çështjes Erind Rehovica që ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj të ndaluarit I.H. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Sipas njoftimit, gjyqtari Piro Sota ka arsyetuar se, bazuar në pikën 3 të nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se, “gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori”. “Veprimtaria e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier nuk mund të shkojë përtej asaj çfarë është parashikuar në ligj”, përmbyllet njoftimi.

Katër persona mbetën të vrarë në orët e vona të së shtunës më 26 qershor, pas një konflikti mes pronarëve të dy hoteleve në Velipojë. Sipas raportimit të policisë, konflikti filloi mbi hapësirën e plazhit para tyre, për të cilën të dy palët kishin pretendime. Të vrarë mbetën dy vëllezërit Xhovani Gocaj dhe Edmond Gocaj, pronarë të hotelit “Gocaj”.

Po ashtu i vrarë mbeti Kujtim Ferracaku, që ishte pronar i hotelit “Fantazia” dhe Myzerim Zeneli, 20 vjeç, i punësuar si punonjës zhezllonesh në një prej hoteleve. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes palëve u plagosën Hasan Ferracaku, vëllai i Kujtim Ferracakut dhe Elmilind Dyli.

Një prej viktimave, Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, i vrarë në një atentat në vitin 2018, që dyshohet se është pjesë e përplasjeve mes dy grupeve rivale në Shkodër.

Mëngjesin e të premtes, një familje me katër anëtarë humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik në autostradën Fier-Vlorë. Aksidenti dyshohet se erdhi si pasojë e goditjes së fortë që automjeti tip “Audi” i drejtuar nga 22-vjeçari Igli Madani i ka dhënë në mjetit tip “Toyota” me të cilën po udhëtonin katër anëtarët e familjes Gushi, dy bashkëshortët dhe dy fëmijët e tyre, që humbën që të gjithë jetën.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *