Inaugurohet busti i Konstantinos Mitsotakis në Derviçan/ Rama: Do të doja të ishte këtu edhe djali i tij Kyriakos

0
Shpërndaje lajmin

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në përurimin e sheshit të Derviçanit në Dropull, i cili do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis. Rama thotë se busti i Mitsotakis, i cili ishte kryeministri i parë grek që vizitoi Dropullin, do të qëndrojë si shëmbëlltyrë e të vërtetës historike që bashkon dy popujt fqinje.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se do të donte që të kishte marrë pjesë në këtë përurim edhe djali i tij, kryeministri aktual grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Mu duk e arsyeshme ta skicoja sot këtu fillin e romanit të jetësuar të këtij personazhi emblematik të politikës së vendit fqinj, i cili ishte kryeministri i parë grek që zbriti në Shqipëri dhe vizitoi Derviçanin. Rikthimi i tij në këtë shesh përmes këtij busti që skulptori Adi Dule e ka bërë me shumë sukses dhe dëshirë, qoftë sepse edhe ai ka qenë disa vite në Greqi si emigrant por edhe se portreti i plakut Mitsotakis, mendoj se është një rikthim i duhur ne vendin dhe kohën e duhur i njeriut të duhur për të mëshiruar me praninë e vet të përjetshme lidhjen e pandashme të minoritetit grek me Shqipërinë, të cilat i vendosi me ardhjen e tij 33 vjet më parë. Por mjafton ta kesh parë në një material arkivor të televizionit grek, kur flet me dashurinë e sprovuar të një jete edhe me sensin aristokratik të humorit, për kokëfortësinë e gruas së tij arvanitase, që të kuptosh se kjo prani e tij këtu ushqen natyrshëm edhe mirësinë kokëfortë të lidhjes së pandashme mes dy gjindjeve tona, të cilat e shkuara i ka përzier aq shumë, saqë po të mos i dallojë gjuha…asgjë tjetër nuk i bën të pangjashme si dy pikat e ujit. Do të kisha dëshiruar të kishte qenë këtu sot edhe Kyriakos Mitsotakis por me siguri do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar, ku që nga sot sheshi mban emrin e të atit”, u shpreh Rama./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *