India do të lehtësojë kufizimet pas rënies së rasteve me COVID-19

Shpërndaje lajmin

Të dielën, India ka raportuar 114.460 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e ulët e infektimeve ditore në dy muaj. Ndërkaq, numri i viktimave u rrit për 2.677, teksa pjesë të ndryshme të Indisë po përgatiten që të lehtësojnë masat kufizuese të lëvizjes.

India, që është shteti i dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara me numrin më të lartë të infektimeve, në total ka regjistruar 28.8 milionë raste me koronavirus. Sipas të dhënave të Ministrisë indiane të Shëndetësisë, numri i viktimave është 346.759.

Autoritetet presin që të përmirësohet situata epidemiologjike në pjesët rurale të vendit, që u goditën më së keqi nga vala e dytë e pandemisë. Ndërkaq, Nju Delhi dhe qytetet e tjera po punojnë që të lejojnë që të rihapen më shumë biznese dhe nga dita e hënë të lehtësohen kufizimet e lëvizjes, transmeton Reuters.

Shteti Maharashtra, që është shteti më i pasur indian, ka pësuar më së keqi nga vala e dytë e pandemisë. Ky shtet pritet që gjatë javës së ardhshme të lehtësojë masat e izolimit, që janë në fuqi që prej prillit.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se India mund të goditet më vonë gjatë vitit nga një valë e tretë e pandemisë, e cila me gjasë do të prekë më shumë fëmijët./REL


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *