Industria agroushqimore 560 milionë euro prodhim vjetor, mbi 55% e zë buka

Shpërndaje lajmin

Industria e agropërpunimit të ushqimeve, edhe pse ka potencial për t’u zhvilluar më tej, sidomos në prodhimet bujqësore, kishte një vlerë prodhimi prej 559 milionë euro në vitin 2020, dhe duke marrë në konsideratë ritmet e rritjes ekonomike të vitit 2021 me 8.5%, vlera e prodhimit i ka kaluar të 600 milionë eurot në një vit.
Industria agroushimore zë rreth 4% të PBB-së, por pjesa më e madhe e saj dominohet nga prodhimi i bukës, një produkt jetik për shqiptarët që ende gjen konsum masiv.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, në vitin 2020, numëroheshin gjithsej mbi 2400 biznese, por 56% e e tyre operojnë në prodhimin e bukës. Ndërsa 12.7% e subjekteve operojnë në prodhimin dhe përpunimin e qumështit dhe produkteve të tij dhe në sektorin e prodhimit të vajit operojnë 7.7% e ndërmarrjeve.
Ndërmarrjet agroushqimore janë të përqendruara kryesisht në Tiranë (31%), Fier (12%) dhe në Durrës (10%). Numri më i lartë i të punësuarve në industrinë agroushqimore ishte në Tiranë (34.8%), e ndjekur nga Durrësi (14.6%) dhe Elbasani (9.5%).
Bizneset e agropërpunimit janë nënsektori më produktiv i bujqësisë. Nga viti 2015 deri në 2020, vlera e prodhimit në agroindustri është rritur me 21.6%, ndërkohë që numri i punonjësve zyrtarisht është rritur me vetëm 9%. Të dhënat zyrtare tregojnë se produktiviteti në këtë degë të bujqësisë është rritur më shumë se numri i punonjësve. I gjithë sektori i agroindustrisë punëson rreth 13 mijë punonjës me rritje të numrit me 4.4% në katër vitet e fundit.
Ministria e Bujqësie analizon se në pesë vitet e fundit, rritja e vëllimit të prodhimit erdhi kryesisht për shkak të mishit të ngrirë dhe të produkteve të mishit të ngrirë, prodhimit të miellit, bukës dhe makaronave, qumështit dhe produkteve të qumështit.
Në të njëjtën kohë ka një rënie të prodhimit të pijeve alkoolike. Ndërsa vlera e prodhimit është rritur, kryesisht në sektorët e qumështit dhe produkteve të qumështit, në sektorin e peshkut të konservuar, në sektorin e ujit të ambalazhuar dhe të pijeve joalkoolike.
Njëkohësisht ka një rënie të prodhimit të ëmbëlsirave. Pesha më e madhe e investimeve gjatë viteve 2015 – 2020 është regjistruar në prodhimin e miellit nga drithërat, në prodhimin e bukës, prodhimin e ujit të ambalazhuar dhe të pijeve joalkoolike, produkteve të peshkut të përpunuar, të qumështit dhe produkteve të qumështit.
Me ferma kryesisht të vogla, nivel të ulët mekanizimi dhe një industri agroushqimore jo shumë të diverisifkuar dhe konkurruese, mund të vlerësohet se sektori agroushqimor duhet të bëjë hapa të mëtejshme për të rritur produktivitetin e tij, duke kthyer në këtë mënyrë përmbys trendin negativ të ekulibrit të tregtisë./Monitor
Burimi: INSTAT

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *