Inflacioni në Eurozonë bie në 9.2 për qind

Shpërndaje lajmin

Rënia e inflacionit ishte më e fortë se sa pritej. Por ekspertët nuk janë tepër optimistë. Në shkurt mbahet takimi i radhës i Bankës Qendrore Evropiane.
Në dhjetor çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 9.2 për qind brenda një viti. Ky ishte vlerësimi fillestar i zyrës së statistikave Eurostat. Norma e inflacionit në nëntor ishte 10.1 për qind, ndërsa në tetor ishte 10,6 për qind. Ekonomistët prisnin një inflacion edhe më të lartë, prej 9.7 për qind.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, inflacioni është ulur për të dytin muaj me radhë. Pavarësisht rënies, inflacioni edhe më tej është më shumë se katërfishi i objektivit afatmesëm të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), që është dy për qind. Mbikëqyrësit e monedhës e konsiderojnë këtë nivel si të përshtatshëm për ekonominë në komunitetin e 20 vendeve anëtare të Eurozonës.
Çmimet e energjisë nxitën përsëri inflacionin në dhjetor, ndonëse jo aq ndjeshëm. Çmimet e energjisë janë rritur me 25.7 për qind, krahasuar me një vit më parë, ndonëse në nëntor ishin rritur plot 34.9 për qind. Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën me 13.8 për qind, nga 13.6 për qind në nëntor. Çmimet e mallrave industriale joenergjetike u rritën me 6.4 për qind në dhjetor. Në nëntor, rritja ishte 6.1 për qind. Shërbimet u rritën me 4.4 për qind në dhjetor.
Shefja e BQE-së, Christine Lagarde kohët e fundit sinjalizoi se Banka Qendrore Evropiane do të vazhdojë të rrisë normat e interesit edhe në vitin e ri. Në luftën kundër presionit të lartë të çmimeve, BQE rriti me 0.50 pikë përqindjeje normat bazë të interesit në dhjetor. Kjo ndodhi pas dy rritjeve të larta në shtator dhe tetor me 0.75 pikë përqindjeje.
Mbledhja e radhës e BQE-së për normat e interesit është më 2 shkurt. Banka Qendrore i ka rritur normat e interesit katër herë radhazi brenda vetëm pak muajsh. Norma e depozitave që është vendimtare në tregjet financiare është aktualisht 2 për qind. /dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *