Investitori austriak synon të rrisë biznesin në Kosovë

Shpërndaje lajmin

Brandner, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Bit Media” – anëtare e “EEE group” [e-edukimi, e-zgjidhje, e-qeverisje, me seli në Austri], ka arritur në Kosovë njëmbëdhjetë vjet më parë, për të investuar me firmën e tij në fushën e teknologjisë, përkatësisht informatikës, transmeton albinfo.ch.
“Është obligim i institucioneve të Kosovës që të punojnë më shumë në avancimin e shkathtësive në sistemin edukativ-arsimor”, shprehet Manfred Brandner, investitor austriak në Kosovë.
Thuhet se aktualisht ka të punësuar 35 punëtorë, por synon që në të ardhmen të rrisë numrin e tyre.
Po ashtu, Brandner thotë se ajo që e ka tërhequr në Kosovë, është popullata relativisht e re e vendit. Mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është 35 vjeç.
Brandner thotë se Kosova, si një shtet i ri, i pavarësuar 14 vjet më parë, ofron mundësi të mira për investitorët e huaj.
“Derisa në fillim kemi pasur të bëjmë me një imazh që nuk ka qenë pozitiv dhe është dashur të argumentojmë se përse synojmë të shkojmë në shtetin e Kosovës, tash nuk shtrohet fare ajo pyetje”, thotë Brandner.
Imazhi jo i mirë, siç thotë ai, lidhej me një shtet të dalë nga lufta, që mund të ishte i pasigurt për investitorët.
Por, me kalimin e viteve, ambienti i të bërit biznes në Kosovë është përmirësuar, thotë ai.
“Kur jeni duke jetuar vetë në një vend, ndoshta edhe nuk e shihini zhvillimin në të cilin po kalon ai vend. Meqenëse ne jetojmë në një vend tjetër dhe kemi bashkëpunim me shumë shtete anembanë botës, është mahnitëse të shohim se çfarë zhvillimi ekonomik ka pasur Kosova në këta 11 vjet”, thotë Brandner.
Sipas tij, Kosova ka arritur të krijojë një komunikim të mirë me investitorët e huaj ndërkombëtarë, por shton se vonesat në vendimmarrje për çështje që ndërlidhen me investitorët e huaj, vazhdojnë të jenë problematike.
“Nëse një problem për një investitor kërkon zgjidhje ose intervenim nga Qeveria, do të duhej të merrej vendim i shpejtë, sepse nganjëherë deri te vendimmarrja po kalon shumë kohë”, thotë ai.
“Për t’i mbajtur investitorët, duhet bërë që ata të ndihen mirë. Institucionet vendimmarrëse duhet t’iu japin përshtypjen se janë të mirëseardhur, të dëgjohen… Pastaj, nevojat e tyre të adresohen në mënyrë korrekte dhe të shpejtë. Në të kundërtën, investitorët mund të ftohen dhe të shkojnë diku tjetër”, thotë Brandner.
Ai e sheh si problematike “mospërgatitjen e të rinjve të diplomuar për tregun e punës”. /Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *