Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm para Gjykatës Speciale

Shpërndaje lajmin

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzat shtesë të Prokurorisë.
“Zotëri gjyqtar, e theksoj edhe një herë se amendamentet tuaja janë shumë të redaktuara dhe ende nuk kam arritur t’i lexoj dhe t’i kuptoj, por deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.

Edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli është deklaruar i pafajshëm në aktakuzat e reja që janë paraqitur ndaj tij në Dhomat e Specializuara në Hagë lidhur me pretendimet e Prokurorisë për krime lufte.
“Faleminderit, zotëri gjykatës, i kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe të kem të drejtën ta shpreh pozitën dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar”, ka thënë Veseli.

Derisa ish-kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, deklaroi para trupit gjykues se gjatë tërë jetës ka qenë njeri me integritet, transmeton Albinfo.ch.

“Kurrë nuk kisha besuar se juristë të shkolluar në demokraci liberale dhe që pretendojnë që punojnë me drejtësi dhe ngritin akuza në bazë të gënjeshtrave të Serbisë dhe cenojnë të drejtën e lirisë së individit. Mua më vjen turp pse po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë, një regjim ndër më kriminelët e pas Luftës së Dytë Botërore, madje në atë kohë nuk besoj se në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidial sa e si ishte regjimi i Millosheviqit, të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut. E kam vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë, edhe këtë, jam krejtësisht i pafajshëm. Kërkojmë që gjyqi të përshpejtohet dhe të mos na mbajë padrejtësisht në paraburgim”, deklaroi ai.

Ish-deputeti Rexhep Selimi është deklaruar i pafajshëm në pretendimet e Prokurorisë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Më lejoni të deklarohem i pafajshëm si edhe në të gjitha pikat e tjera të aktakuzës”, deklaroi Selimi.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u ngrit më 26 tetor të vitit 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *