Ish-numri dy i OFL-së, Artan Shkëmbi, dërgohet për gjykim për dekonspirim.

Shpërndaje lajmin

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të zv/drejtuesit të Operacionit Forca e Ligjit për akuzën “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Artan Shkëmbi gjatë seancë dëgjimore të vetingut të policisë | Foto : LSA

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj ish-numrit dy të Operacionit Forca e Ligjit, OFL, Artan Shkëmbi i akuzuar për nxjerrje të sekretit hetimor dhe e ka dërguar dosjen në gjykatën respektive me kërkesë për dërgim në gjyq. Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj i tha BIRN se dosja është përcjellë të premten më 16 korrik, me akuzën “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga Neni 295/a i Kodit Penal.

Më 27 shtator 2020, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, GjKKO vendosi të pranojë si të bazuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë “pezullim nga detyra” për Artan Shkëmbin, për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.

Në mars të vitit 2021, SPAK konkludoi se nuk qëndronte akuza për korrupsion dhe e delegoi çështjen për komeptencë në Prokurorinë e Tiranës vetëm për nxjerrjen e të dhënave sekrete. Edhe pas kalimit të çështjes në juridiksionin e përgjithshëm, masa e sigurisë “pezullim nga detyra” ndaj Shkëmbit u la në fuqi.

Shkëmbi dyshohet se ka dekonspiruar informacione të kërkuara nga një agjenci ligjzbatuese e huaj për llogari të një shtetasi me precedentë penalë.

Artan Shkëmbi nuk preferoi ta komentonte apo të jepte qëndrim lidhur me dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të tij. “Nuk kam asnjë koment, përderisa edhe çështja është ende në proces”, pohoi ai për BIRN gjatë një komunikimi telefonik.

Shkëmbi u konfirmua në detyrë me shumicë votash më datë 28 shkurt 2020 nga Komisioni i Jashtëm i Kualifikimit, KJV, që po kryen procesin e vetingut në polici.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *