Ja cilat masa do t`i marrë Qeveria e Zvicrës nëse nuk ulen rastet

Share

430353268 highres 1

Këshilli Federal po përgatitet për mundësinë që numrat e infeksioneve me koronë të mos ulen në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë arsye ai po kërkon mendimin e kantoneve në mënyrë që, nëse është e nevojshme, të marrë masa shtesë më 13 janar.

“Shfaqja e varianteve të reja të virusit, lehtësisht të transmetueshëm, nga Britania e Madhe dhe Afrika e Jugut, shton rrezikun e një rritjeje të mëtejshme, vështirë të kontrollueshme të numrit të rasteve”, shkruan Departamenti i Brendshëm në letrën shoqëruese dërguar kantoneve. Këtë letër e ka në dispozicion gazeta “20 minuten”.

Prevalenca e variantit britanik në Zvicër mund të jetë tashmë 30 për qind në pesë javë, paralajmëron Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) në një letër, transmeton albinfo.ch. Sipas draft urdhëresës, Këshilli Federal do të hedh në diskutim masat e mëposhtme:

• Home Office (puna nga shtëpia): Punëdhënësit do të jenë të detyruar të mundësojnë punën nga shtëpie kudo që kjo është e mundur për shkak të natyrës së punës. Por, në rastet kur urdhërohet puna nga shtëpia, punëdhënësi nuk i ka borxh punonjësit asnjë kompensim për shpenzimet (kostot e energjisë elektrike, kontributet në kostot e qirasë, etj.).

• Mbyllja e dyqaneve dhe tregjeve përveç atyre për nevoja të përditshme: Dyqanet dhe tregjet do të mbyllen. Dyqanet dhe tregjet që ofrojnë mallra të konsumit të përditshëm përjashtohen nga ky rregull, gjegjësisht, mbeten hapur, përcjell albinfo.ch. Do të vazhdojë të jetë e mundur blerja e mallrave me porosi (“click and collect”).

• Aktivitetet private: Më së shumti dhjetë persona nga jo më shumë se dy familje mund të marrin pjesë në ngjarje ose ndeja private. Fëmijët llogariten gjithashtu në këtë numër.

• Tubimet publike: Mbledhjet publike janë kufizuara nga pesëmbëdhjetë persona sa janë tani, në dhjetë persona.

• Masa të mëtejshme në vendin e punës: Kur puna në shtëpi nuk është e mundur ose vetëm pjesërisht e mundur, në vendin e punës do të miratohen masat e mëtejshme: Për të mbrojtur punonjësit në ambientet e brendshme, tani bëhet e detyrueshme vënia e maskës aty ku ka më shumë se një person në një dhomë, transmetpn albinfo.ch.

Distanca e madhe midis vendeve të punës në të njëjtën dhomë nuk është më e mjaftueshme. Punëdhënësit gjithashtu duhet të dokumentojnë me shkrim masat e miratuara për të mbrojtur punonjësit dhe për të zbatuar rregullat e distancës dhe higjienës – pasi të kenë dëgjuar punonjësit. Kjo rrit transparencën dhe përfshirjen e punonjësve.

• Mbrojtja e punonjësve veçanërisht të prekshëm: Për njerëz të caktuar, infeksioni me koronavirus mund të jetë më i rrezikshëm se për mesataren, sepse sëmundja mund të jetë për ta në veçanti e rëndë ose edhe fatale. Njerëzit me rrezik të veçantë duhet të mbrohen në mënyrë specifike por pa i diskriminuar ata, përcjell albinfo.ch. Për këtë qëllim, si në pranverën e vitit 2020, do të prezantohet e drejta për të punuar nga shtëpia ose mbrojtja ekuivalente në punë apo leja për pushim për njerëzit veçanërisht të prekshëm.

Këshilli Federal planifikon të zgjasë masat aktuale të koronës, përkatësisht mbylljen e restoranteve, deri më 28 shkurt. Përveç kësaj, BAG synon mbrojtjen më të mirë të njerëzve në shtëpitë e pleqve. Po ashtu BAG sugjeron teste të rregullta Covid për personelin infermieror.


Share

Komente