Janjiç: Kurti po eliminojnë spiunazhin rus në Veri dhe strukturat paralele, ka përkrahjen e madhe nga ..

Shpërndaje lajmin

Ndërhyrja e fundit e forcave të rendit në disa komuna me shumicë serbe për ta luftuar kontrabandën atje, është shndërruar në debat të gjerë në Serbi.
Shumica mbajnë anën e propagandës së pushtetit se kjo është njëfarë bezdisje e qëllimshme që shteti i Kosovës ua bën qytetarëve serbë, por zëra si Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, pohon se bëhet fjalë për një hetim të sistemit paralel të administratës që është dashur të hiqet, siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit, por që ka qenë duke punuar në shtatë vitet e fundit.
“Kur të gjithëve i shtohen akuzat se ato institucione të themeluara nga Serbia ishin njësi të spiunazhit të organizuar, kjo merr një seriozitet shumë më të madh. Kjo është një përpjekje e Kurtit, me ndihmën e QUINT-it, për të eliminuar të gjithë sistemin e spiunazhit dhe administrimit paralel”, thotë ai në një intervistë për të përditshmen serbe Danas.
“Fatkeqësisht, këtu është dëmtuar pozita e Beogradit në procesin e negociatave. Beogradi zyrtar gjatë gjithë kohës ka thënë vetëm atë që nuk është respektuar nga Prishtina, që është marrëveshja për Bashkimin e Komunave Serbe, por tani është zbuluar se Beogradi nuk i ka respektuar as parimet themelore të Marrëveshjes së Brukselit”, deklaron Janjiç.
Megjithëse çështja e institucioneve paralele është qendrore dhe ka të bëjë drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Brukselit, Janjiç beson se ishin akuzat për spiunazh që u dhanë autoriteteve të Kosovës mbështetjen e organeve ndërkombëtare për të ndërmarrë veprime pikërisht tani, për shkak të frikës se ndikimi rus qëndron prapa spiunazhit.
“Një dimension shtesë është se këto kulte spiunazhi, sipas burimeve ndërkombëtare, ishin të shërbimeve ruse. Kjo krijon një mjedis të pakëndshëm sigurie në të cilin Serbia është e lidhur me Rusinë, ndërsa të gjithë të tjerët në rajon rreshtohen me NATO-n”.
Janjiq është i bindur se aksioni për shfuqizimin e institucioneve paralele do të vazhdojë të bëhet nga autoritetet e Kosovës dhe se qëllimi i tij është të paralajmërojë Beogradin që të ndryshojë politikën në lidhje me Rusinë.
Aksioni i Policise se Kosoves
Policia e Kosovës të enjten e 7 korrikut ka zbatuar urdhrin e Gjykatës së Ferizajt për bastisjen e katër lokacioneve në Shtërpcë dhe largimin e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale.
Aksionin e ka konfirmuar për Albanian Post, prokurori Rasim Maloku, duke thënë se është zbatuar një urdhëresë e Gjykatës.
Kurse, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aksionet e zhvilluara të enjten në disa lokacione i ka konsideruar si të suksesshme.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se lufta ndaj shkelësve të ligjit nuk ka opsion tjetër.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka sekuestruar sot kamerat e vendosura dhe të kontrolluara ilegalisht nga strukturat paralele në Komunën e Shtërpcës, si dhe janë sekuestruar pajisje dhe dosje të ndryshme të tyre”.
“Po ashtu, në Zveçan, Policia ka konfiskuar pajisje për prodhimin e kriptovalutave në vlerë prej 55 mijë euro dhe substancë narkotike të llojit marihuanë”, ka shkruar Sveçla, ndër të tjera.
Ndryshe, më 21 dhjetor 2021, në një konferencë për medie, prokurori Rasim Maloku, pati thënë se dyshohet që Bratislav Nikoliç, ish-kryetar i Shtërpcës, ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.
Kështu, ky aksion vazhdoi më 6 janar 2022, dhe u zhvillua në disa qytete, kurse cak ishin të përfshirët në hetimin për ndërtimet e paligjshme në Brezovicë.
Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.