Jo, kaosi politik në Amerikë nuk është një dhuratë për Kinën dhe Rusinë

Share

Nga Maria Repnikova “The New York Times”

A është vërtet kaosi politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “një dhuratë e Zotit për kritikët e Amerikës”. Hua Çunjing, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, iu kundërpërgjigj disa zyrtarëve dhe politikanëve amerikanë që i përshkruan protestuesit në Hong Kong si “heronj të demokracisë, duke thënë se mbështetësit e Trump që sulmuan

javën e shkuar Kapitol ishin “banditë” dhe “ekstremistë”.

Zëvendës ambasadori rus në OKB, Dimitri Polianskij, denoncoi në Twitter faktin se protestuesit mësynë Kapitol në stilin e “Maidan”- duke iu referuar kryengritjes së vitit

2014 në Ukrainë, që pati shumë mbështetje nga Perëndimi.

Më 7 janar një editorial në “Global Times”, një tabloid kinez i kontrolluar nga Partia Komuniste shpalli “kolapsin e sistemit politik të SHBA-së”. Por a është vërtet kështu? Dhe a e rrit legjitimitetin e Kinës dhe regjimeve të tjera autoritare, thellimi i plasaritjeve

në sistemin politik amerikan?

Vetë-portretizimi i SHBA-së si një fanar ndriçues i demokracisë, është kontestuar prej kohësh, edhe para se Donald Trump të bëhej president, nisur nga denoncimet e torturave ndaj irakianëve të burgosur në Abu Ghraib, apo përgjimet e paligjshme të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Epoka Trump, u ka ofruar më shumë “municione”kritikëve të Amerikës, përfshirë imazhet prekëse të fëmijëve të emigrantëve të mbyllur në kafaze, dhe vdekjen e Xhorxh Floid në duart e policisë, apo skenat apokaliptike të spitaleve amerikane të mbipopulluara me pacientët e prekur nga Covid-19.

Gjithsesi, unë nuk shoh deri tani asnjë arsye për të besuar se edhe kjo situatë e vështirë për prestigjin e SHBA-së, do të forcojë imazhin e udhëheqësve autokratë diku tjetër.

Statura globale e Kinës, është dëmtuar që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, edhe pse vendi është paraqitur në tërësi më mirë se shumë shtete të tjera të mëdha në menaxhimin e krizës. Në një sondazh të kryer nga “Pew Research Center” në 14 vende të industrializuara vjeshtën e vitit të shkuar, treçereku i të anketuarve e shihte Kinën “në një dritë negative”,pra shumë më tepër se sa 1 vit më herët.

Por shumica e të anketuarve në një tjetër studim të Pew verën e shkuar, vazhdonin të kishin pikëpamje negative në lidhje me Rusinë. A funksionon propaganda në shtëpi? Mbulimi i mediave kineze dhe ruse mbi krizën politike aktuale në Uashington, është projektuar të nxisë ndjenjat nacionaliste në të dyja vendet, dhe për një farë mase ato do të kenë sukses në këtë aspekt.

Kaosi në Uashington u transmetua gjerësisht si nga mediat kryesore ashtu edhe mediat sociale në Kinë, dhe kryesisht me pak censurë, gjë që është e pazakontë. Lejimi apo edhe  lehtësimi i rrjedhjes së informacionit, duket të ketë qenë një hap i kontrolluar i propagandës.

Por kjo qasje mund të kthehet në një bumerangë për qeverinë kineze, sidomos nëse  historia mbi Amerikën, shndërrohet në një përrallë në lidhje me rezistencën e institucioneve demokratike ndaj një presidenti të rrezikshëm.

Disa nga mediat sociale në Kinë kanë analizuar në detaje ngjarjet e fundit, duke bërë disa analogji historike, kryesisht me Revolucionin Amerikan, apo Revolucionin e vitit 1830 në Francë. Por fakt është se rezultatet e zgjedhjeve në fund u certifikuan.

Trump edhe pse me vonesë e denoncoi dhunën e disa prej mbështetësve të tij. Pasi Hu Xijin, redaktor i“Global Times”, pohoi në një postim në Weibo më 7 janar se sistemi demokratik i Amerikës sapo ishte shkatërruar, një përdorues i kësaj platforme sociale më e përdorura në Kinë, argumentoi se “aftësia e sistemit amerikan për të ndrequr gabimet është e fortë, dhe se ajo do ta përballojë edhe këtë sfidë”.

Komente të tilla janë vetëm disa grimca të një debati më të gjerë dhe dinamik në rrjetet sociale. Por,ato sugjerojnë tashmë se perceptimet në Kinë dhe Rusi lidhur me trazirat politike në Amerikë, mund të diktohen më pak nga propaganda ruse apo kineze, dhe më shumë nga reagimi i vetë Amerikës ndaj krizës.

Ndaj, mësymja e 6 janarit në Capitol, dhe pasojat e saj politike, nuk janë një dhuratë për udhëheqësit autoritarë që janë të prirur të denoncojnë mangësitë e SHBA-së, përkundrazi, janë më shumë një mundësi që Amerika të rindërtojë veten dhe imazhin e saj në botë. Në fund të fundit, do të jetë mënyra se si Amerika do të përballet me këtë krizë në javët dhe muajt e ardhshëm, ajo që do të përcaktojë se si kjo histori, dhe Amerika në përgjithësi, do të perceptohet nga njerëzit në Kinë, Rusi dhe më gjerë./CNA.al

https://www.nytimes.com/2021/01/15/opinion/impeachment-china-russia.html


Share

Komente