Joe Biden shpall paketën e ndihmës për koronavirusin

Share

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden paraqet të enjten planin e administratës së tij mbi koronavirusin që përfshin rritje të numrit të vaksinimeve dhe ndihmë për të luftuar efektet ekonomike të pandemisë.

Zoti Biden është planifikuar të detajojë planet që lidhen me këtë paketë ndihme gjatë një fjalimi të enjeten në mbrëmje.

Ai ka vendosur tashmë si objektiv kryerjen e 100 milionë vaksinimeve në 100 ditët e para pas marrjes së detyrës më 20 janar ndaj dhe plani i tij pritet të përfshijë fonde për të zgjeruar fushatën e vaksinimit.

Qeveria amerikane ka dhënë autorizimin për dy vaksina të ndryshme për përdorim emergjent. Ato merren në dy doza dhe deri më tani, më shumë se 10 milionë njerëz kanë marrë vetëm dozë e parë të vaksinës.

Plani i zoti Biden pritet gjithashtu të përfshijë një cikël të ri pagese direkte për familjet amerikane. Diskutimet mbi këtë çështje u shtynë muajin e kaluar mes mosmarrëveshjeve politike mbi shumën që duhej të përfitonte çdo shtetas amerikan në formë çeku.

Brian Deese, që pritet të jetë këshilltari për Ekonominë i zotit Biden, tha të mërkurën se do të propozohet gjithashtu edhe një ndihmë për bizneset e vogla.

Zoti Deese tha se zoti Biden do t’i kërkojë Kongresit të përqëndrohet së pari në miratimin e masave stimuluese ekonomike afatshkurtra e më pas do të punohet mbi planet afatgjata të rimëkëmbjes ekonomike që lidhen me kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën.

Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer ka thënë se miratimi i një projektligji për të lehtësuar pasojat e pandemisë do të ishte përparësia kryesore e demokratëve me marrjen në kontroll të Senatit.

Ngritja zyrtarisht e akuzës për shkarkimin e Presidentit Donald Trump të mërkurën kërcënon të mbushë kalendarin e punimeve të Senatit, por zoti Biden tha se ai shpreson që kjo dhomë e Kongresit të mund ta ekuilibrojë këtë çështje me përparësi të tjera.

Prej fillimit të pandemisë në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar afërsisht 385,000 vdekje si pasojë e COVID-19. Prej më shumë se dy muajsh vendi po përballet me rritje dramatike të infeksioneve.

Gjatë javës së kaluar u regjistruan mesatarisht 245,000 raste të reja në ditë dhe 3,300 vdekje. Shtrimet në spital si pasojë e COVID-19-s janë në nivele rekord.


Share

Komente