Kalimi i Naços tek PS trazon ujërat në LSI, Vasili reagon ashpër: Iu bashkua klubit të hajdutëve dhe interesave të fshehta

Share

Kalimi i ish-ministrit të Drejtësisë dhe ish-deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço tek Partia Socialiste, jo vetëm që nuk është pritur mirë nga LSI, por duket se ka trazuar edhe ujërat brenda partisë së Kryemadhit.

Ka qenë nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili teksa ka komentuar largimin e Nasip Naços nga kjo forcë politike, për t’iu bashkuar PS-së në qarkun e Beratit, ka shpërthyer në akuza të forta ndaj ish-kolegut të tij.

Vasili theksoi se me lajmin është njohur nga mediat dhe sipas tij është i parëndësishëm, pasi Naço i është bashkuar klubit të inceneratorëve, që vjedhin para publike. Ndërkohë sa i takon një videoje ku Edi Rama dhe Lefter Koka ftonin Naçon që t’iu bashkohej atyre dhe të largohej nga LSI, Vasili tha se kjo është e gjitha një histori hajdutësh.

“Është një lajm pa asnjë vlerë dhe asnjë rëndësi, si çdo gjë që funksionon nën dhe për interesa të pista, videoja që pashë më bëri shumë që të qesh, ky është një klub banditësh që grabisin paratë dhe ndajnë këto interesat e vogla. Ca hajdutë votash dhe ca hajdutë parash, nuk kanë shumë ndryshim. Ua them shumë seriozisht që nuk kam parë asnjëherë një frymë të tillë, impulse të reja që duan të shprehen dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes në LSI”, deklaroi ai.

Ndërkohë nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi më tej se LSI është në ditët e saj më të mira, ndërsa shtoi se kushdo që do të bashkohet me vjedhësit, është i lirë që të largohet nga partia.

“Ju thashë që ka një LSI që po përjeton ditë të jashtëzakonshme të saj, le ta lëmë klubin e inceneratorëve që të jenë në punën e tyre dhe të shpresojmë që do të vendosen përpara drejtësisë nesër. Këto miliona qe vidhen nuk kanë mundur që t’iu jepen shqiptarëve për pandeminë”, nënvizoi nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Kujtojmë që paraditen e djeshme, ish-ministri i Drejtësisë në mandatin e parë qeverisës me Partinë Socialiste, Nasip Naço njoftoi largimin e tij nga Lëvizja Socialiste për Integrim për të kaluar me socialistët. Zoti Naço u shfaq me Blendi Klosin në Berat, ku prezent ishte edhe ish-lideri i LSI-së, presidenti i sotëm, Ilir Meta.


Share

Komente