January 28, 2022

Kandidati për deputet, Etion Joka dërgohet në gjyq për ‘blerje vote’

Shpërndaje lajmin

Kandidati i LSI-së, Etion Joka akuzohet për veprën penale të ‘korrupsionit në zgjedhje’, pasi u filmua duke dhënë 100 USD në këmbim të votës.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Foto: LSA

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të kandidatit për deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, Etion Joka, i cili akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Në njoftimin e SPAK thuhet se hetimi është bazuar në një video të transmetuar më 23 prill 2021 në kanalin televiziv “Top Neës”.

“Nga të dhënat e përfituara nga pamjet filmike si dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, rezultoi e provuar se shtetasi Etion Joka… i ka ofruar një shumë prej 100 USD, shtetasit Elis Babo, në këmbim të sigurimit të votave,” thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë, është dërguar për gjykim edhe personi të cilit Joka i ka dhënë shumën e valutës, Elis Babo i cili akuzohet për veprën penale “korrupsioni pasiv në zgjedhje”.

Akuzat e partive politike për korrupsion dhe shit-blerje të votës dominuan edhe në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit, por vetëm 21 persona u ndoqën penalisht.

Më 22 prill, Prokuroria e Dibrës nisi procedim penal ndaj dy personave që u shoqëruan nga policia pasi në makinën me të cilën udhëtonin u gjetën 500 mijë lekë, fletëpalosje dhe lista me emra votuesish. Makina u bllokua nga mbështetës të Partisë Demokratike me dyshimin se ishin duke shpërndarë para për vota.

Dy ditë para zgjedhjeve, një rast i denoncuar nga emisioni “Stop” në TV Klan pas filmimeve me kamera të fshehta përfundoi me arrestimin e tre personave të përfshirë në Tiranë, të dyshuar për blerje votash.

Më herët, PD në Berat bllokoi një fugon me ushqime. Në Vaqarr në Tiranë u tha po ashtu se u bllokuan ushqime, edhe pse personat e bllokuar pretenduan se ishin për një iftar të organizuar në fshat. Ngjarja më e rëndë ishte ajo që ndodhi në Elbasan më 21 prill, ku bllokimi i një makine nga mbështetës të PD, të prezantuar si Struktura e Mbrojtjes së Votës, përfundoi me shkëmbim zjarri ku si pasojë mbeti i vrarë një person dhe u plagosën katër të tjerë.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published.