January 28, 2022

Kapen në Portin e Durrësit 45 kg heroinë, arrestohen shoferi dhe pronari i kamionit

Shpërndaje lajmin

Policia sekuestroi në Portin e Durrësit 45 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike të dyshuar si heroinë, e cila po transportohej drejt Italisë. Droga u gjet në një kamion të ngarkuar me krom dhe mbi pako kishte mbishkrimin banane. 

Sasia e dyshuar e heroinës e ndaluar nga policia e Durrësit. Foto Policia e Shtetit.

Policia e Durrësit sekuestroi mëngjesin e të martës një sasi prej 45.5 kilogramësh lëndë të dyshuar si heroinë, ndërsa arrestoi shoferin e kamionit dhe pronarin e tij që akuzohen për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Policia njoftoi se lënda e fshehur në kabinën e kamionit të ngarkuar me krom, ishte e ndarë në 43 pako të mbështjella me natriban, disa prej të cilave kishin mbishkrimin “Banane”.

Policia e zhvilloi operacionin e koduar “Portëz” pas informacioneve operative se një sasi lënde narkotike do trafikohej drejt Italisë dhe mundi të arrestonte transportuesit e saj.

Policia arrestoi drejtuesin e kamionit, 36 vjeçarin me iniciale O. D., banues në Fier dhe pronarin e kamionit,  45 vjeçarin me iniciale A. Ç., banues në Durrës.

Operacioni është në vijim të sekuestrimeve të tjera të lëndëve narkotike të zhvilluara nga Task-Forca permanente e krijuar në Portin e Durrësit, nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të portit.

Policia bëri me dije se po vijon veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë Durrës për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe materialet hetimore u referuan për veprën penale, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, i kryer në bashkëpunim.

Më herët më 18 qershor policia brenda një kamioni që vinte nga Maqedonia e Veriut  sekuestroi në port rreth 300 kg lëndë narkotike të dyshuar si kokainë. Ndërsa shumica e sekuestrimeve i përkasin dërgesave të kokainës që vijnë me kontejnerët që transportojnë banane apo fruta deti nga Amerika Latine.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published.