September 25, 2021

Karteli i kokainës, SPAK kërkon konfiskimin e hotelit të vëllezërve Marku

Shpërndaje lajmin

Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka përfunduar hetimin pasuror për dy vëllezërit e akuzuar nga Italia si grosistë të kokainës në Europë dhe ka zbuluar se ata zotëronin një hotel në Kanalin e Çukës në Sarandë dhe një njësi në Tiranë –për të cilat kërkohet konfiskimi.

Grafikë ilustruese nga Jurgena Tahiri/BIRN.

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të mërkurën se ka kërkuar konfiskimin e një hoteli dhe një trualli në Sarandë si dhe një njësi shërbimi në Tiranë, të cilat dyshohet se i përkasin Armand dhe Gerti Markut- dy vëllezër të kërkuar nga Italia për trafik ndërkombëtar kokaine.

Në fund të hetimit pasuror sipas ligjit “Antimafia”, SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të konfiskojë hotelin “Harbour” në zonën turistike të Kanalit të Çukës në Sarandë si dhe një njësi shërbimi në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, e blerë në vitin 2017 për 105 mijë euro.

Vëllezërit Marku akuzohen nga Prokuroria e Firences në Itali se janë pjesë e kartelit të parë shqiptar të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, e njohur si “Kompania Bello” e drejtuar nga Dritan Rexhepi. Ata i shpëtuan operacionit policor me emrin e koduar “Los Blancos” në shtator 2020 dhe ndodhen në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Interpol Romës.

Sipas njoftimit të SPAK, hoteli i sekuestruar në Sarandë dhe njësia e biznesit në Tiranë zotëroheshin nga familjarë apo të afërm të Armand dhe Genti Markut dhe nuk provohet se këto pasuri kanë prejardhje të ligjshme.

“…nuk arrijnë të përligjin zotërimin e pasurive ose të ardhurave, të cilat janë shpërpjestimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Në një investigim të publikuar në shkurt të këtij viti, BIRN zbuloi se karteli i njohur si “Kompania Bello” është i shtrirë në Amerikën e Jugut, Europë dhe Ballkan dhe realizon xhiro vjetore prej qindra milionë eurosh përmes trafikimit të kokainës.

Sipas hetuesve italianë, vëllezërit Marku janë një fraksion i këtij karteli dhe furnizues të mëdhenj të kokainës në Europë.

Duke u bazuar nga bllokimi në një rast në Holandë i 1.4 milionë eurove që i përkisnin xhiros për shitjet ditore të drogës, prokurorët e Firences vlerësojnë se ata qarkullonin të paktën 50 kilogramë në javë dhe arrinin një xhiro vjetore prej 70.2 milionë eurosh. Në realitet, qarkullimi mund të jetë edhe më i madh, pasi në hetim theksohet se kishte ditë që i njëjti grup shiste deri në 50 kilogramë kokainë me 27,000 euro/kg.

“Duke qenë se hetimi ka fotografuar fenomenin kriminal që lidhet me vëllezërit Marku –  nga viti 2014 deri në arrestimin e Gerti Markut në prill 2017, vlerësohet se organizata ka qenë aktive për të paktën 3 vjet,” thekson Prokuroria e Firences.

“Fitimi i përgjithshëm që mund të përllogaritet për kohën kur ekzistenca e grupit kriminal është monitoruar është 210 milionë euro,” citohet Prokuroria e Firences.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *