Shpërndaje lajmin

 
Pavarësisht ndryshimeve të njëzet viteve të fundit, Kosova vazhdon të mbetet një vend i varfër. Shkaku i kësaj ngecjeje janë kryesisht elitat politiko-ekonomike të vendit por edhe të rajonit. Ç’është e vërteta, shpresa e ndërrimit të këtyre elitave dhe ajo për integrim në BE po zbehen çdo ditë e më tepër tek të rinjtë. Megjithëse mosha mesatare në Kosovë është nën njëzet e gjashtë vjeç, gjeneratat e reja ndihen të lëna pas dore dhe gjithë çka synojnë është të largohen nga vendi.
Përkundër ndihmës së vazhdueshme ndërkombëtare, Kosova mbetet një vend i paqëndrueshëm ekonomikisht. Të rinjtë kosovarë janë të zhgënjyer dhe ndihen të përjashtuar. Problemet kryesore në sytë e të rinjve kanë të bëjnë me të ndjerit të përjashtuar dhe të izoluar. Për shembull, Kosova është i vetmi vend në rajon i që nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe që nuk njihet ende si shtet nga një pjesë e vendeve të botës. Për më tepër, Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit i nënshtrohen ende regjimit të vizave për të udhëtuar në zonën Shengen.
Duke e parë këtë gjendje, Albinfo.ch ka menduar të sjellë historitë e katër profileve që kanë “guxuar të ëndërrojnë” në Kosovë përmes katër video-reportazheve. Bëhet fjalë për gra e burra që kanë pasur guximin e kanë gjetur forcën jo vetëm të guxojnë të ëndërrojnë por edhe të realizojnë ëndrrat e tyre duke mos e menduar asnjëherë largimin nga Kosova, përkundër vështirësive të shumta socio-ekonomike. Ky projekt i mbështetur nga Konfederata Zvicerane ka për qëllim të shpërfaqë katër histori suksesi që vënë në pah jo vetëm potencialin individual të këtyre personazheve, por edhe një mënyrë tjetër për të parë Kosovën dhe mundësitë që ofron ky vend.
Portretet e veçanta që do të sjellim përmes këtyre reportazheve janë histori frymëzuese. Ylli, Zana, Rrezearti dhe Zana rrëfejnë se si kanë gjetur forcën e nuk e kanë humbur asnjëherë besimin për të ndjekur ëndrrat e tyre në Kosovë. Përmes kësaj pune modeste, qëllimi ynë është të vëmë në pah punën e palodhshme dhe pa shumë bujë të këtyre grave e burrave të cilët bashkë edhe me të tjerë si ta kontribuojnë në transformimin e vendit dhe të shoqërisë kosovare.
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *