September 20, 2021

Këmbëngulja shqetësuese e Trumpizmit në SHBA

Shpërndaje lajmin

Nga Bill Schneider, The Hill

Donald J.Trump mund të jetë mposhtur, por Trumpizmi po mbijeton. Ndërsa ndikimi i ish-presidentit në mediat sociale është duke u zvogëluar, Trumpizmi vazhdon që të mbretërojë në një mënyrë triumfale në Partinë Republikane.

Kjo sepse ish-presidenti Trump gëzon një mbështetje shumë të fuqishme nga votuesit republikanë, dhe jo vetëm nga udhëheqësit republikanë. Një sondazh i IPSOS-Reuters pyeti këtë muaj amerikanët:“Kush mendoni se është tani presidenti i vërtetë i SHBA-së?”. Republikanët iu përgjigjën 53 për qind për Donald Trump dhe 47 për qind Joe Biden. Si i përshtatet kjo mohimit të realitetit? Po me përmbysjen e demokracisë? Vetëm 26 për qind e republikanëve – krahasuar me 66 për qind të demokratëve -“pajtohen plotësisht se humbësi në zgjedhje duhet të pranojë humbjen”.

Një anëtar konservator i Grupit të Lirisë në Kongresin Amerikan tha për “TheWashington Post” se udhëheqësit e Partisë Republikane duhet të “rreshtohen me njerëzit që na zgjedhin”. Pra jo me ish-kryetaren e Konferencës Republikane në Kongres Liz Cheney,e cila sfidoi kolegët e saj:“Nëse doni udhëheqës që përhapin gënjeshtrat shkatërruese të Trump, unë nuk jam një nga ata”.

Pse votuesit republikanë janë ende kaq të përkushtuar ndaj Trumpit? Miratimi i punës së Trump ishte mesatarisht vetëm 41 për qind në sondazhin e Gallup, më i ulëti i regjistruar që prej vitit 1945. Ai është presidenti i vetëm që prej vitit 1945, miratimi i punës së të cilit nuk arriti kurrë 50 për qind.

Ja një arsye:Ndërsa Trump humbi në garën e tij për një mandat të dytë, viti 2020 nuk ishte një katastrofë për republikanët. Jo si disfata e Barry Goldwater në vitin 1964. Atë vit Goldwater fitoi 38.5 për qind të votave të njerëzve dhe 52 vota elektorale.

Trump fitoi 47 për qind të votave popullore dhe 232 vota elektorale në vitin 2020. Republikanët humbën 36 vende në vitin 1964. Ndërsa vitin e kaluar, republikanët fituan 14 vende në Kongres. Numri i qeverive në nivel shtetesh të kontrolluara plotësisht nga republikanët (guvernatori dhe të dyja dhomat e parlamenteve lokale) shkoi nga 21 para zgjedhjeve të vitit 2020 në 23 pas tyre.

Ka vetëm një mënyrë se si republikanët mund të binden që ta braktisin Trumpizmin. Demokratët duhet që t’i fshikullojnë në zgjedhje, t’i mposhtin aq keq sa që republikanët të arrijnë në pikën ku të thonë:“Ne nuk mund të vazhdojmë më në këtë rrugë!”.

Dhe kjo gjë nuk po ndodh:63 për qind e republikanëve mbështesin mendimin se Trump duhet të kandidojë sërish për president në zgjedhjet e vitit 2024. Mbi 100 ish-zyrtarë republikanë, kanë nënshkruar një letër ku kërcënojnë të formojnë një parti të re,në rast se Partia Republikane nuk shkëputet nga Trump.

Ata e përshkruajnë veten si pjesëtarë të një lëvizjeje “rezistence të racionalëve kundër radikalëve”.Ajo që krijoi ish presidenti Trump dhe ajo që ka përqafuar Partia Republikane, është një hendek i madh arsimor në politikën amerikane.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, mbështetja ndaj Trump varionte nga 48 për qind midis votuesve të bardhë me një diplomë universitare,në 67 për qind në mesin e votuesve të bardhë pa diplomë. (Të dyja grupimet janë afërsisht të barabarta në madhësi. Biden fitoi duke ruajtur mbështetjen tek votuesit me ngjyrë).

Reagimi ndaj Trump midis shumë votuesve të shkolluar, si ata nga establishmenti tradicional republikan që nënshkruan edhe letrën, është përbuzës. Ato akuzojnë Trumpin dhe ndjekësit e tij për krijimin e një kulti irracionalësh. Provat?

Refuzimi i shkencës sa i përket ndryshimit të klimës, dhe i shkencës mjekësore në lidhje me pandeminë aktuale, si dhe shpërfillja e paqartë e fakteve nga Donald Trump për promovimin e “Gënjeshtrës së Madhe”se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “vjedhur”.

Në një sondazh të Universitetit Monmouth të kryer menjëherë pasi Biden mori detyrën në janar të këtij viti, gjysma e të bardhëve që nuk kanë një diplomë universitare dhe vetëm çereku i të bardhëve me arsim të lartë,besuan se Biden fitoi për shkak të manipulimit të zgjedhjeve.

Një model konfliktual po e dominon tani politikën amerikane:Sa më i pasur të jeni, aq më shumë ka të ngjarë që të votoni për republikanët. Por, sa më i arsimuar të jesh, aq më shumë ka të ngjarë të votosh demokratët. Nga kjo ndarje shpjegohen edhe humbjet e mëdha që pësuan republikanët vitin e kaluar midis votuesve të shkolluar të periferisë në të gjithë SHBA-në.

Politika e e Trump e drejtuar nga ankesat ka një audiencë të kufizuar. Republikanët me pikëpamje të çuditshme, e kanë të vështirë që të përdorin bindjen për t’i arritur votuesit.

Pra, mbështetësit e Trump po përpiqen që të ndryshojnë elektoratin dhe sistemin zgjedhor.

Ata po përdorin shtypjen e votuesve, akuzat për mashtrim të votuesve, kërcënimet për të zëvendësuar zyrtarët zgjedhor jo bashkëpunues, dhe kontrollet absurde të fletëve të votimit të verifikuara ligjërisht si ajo në kontenë Marikopa të Arizonës,për të cilat zyrtarët lokalë pretendojnë se po e kthejnë në qesharak shtetin e tyre.

“Unë e kuptoj pse ju nuk do t’i besonit këtij kontrolli”-deklaroi një aktivist nga Arizona në një tubim. “Por a mund ta kuptoni se pse ne nuk i besojmë zgjedhjeve tuaja?”- pyeti ai. Zgjedhjeve tona!Presidenti Trump nuk e krijoi ndarjen politike në vend.

Ajo ekziston prej më shumë se 50 vjetësh, por ai e shfrytëzoi atë dhe e thelloi akoma më tej. A ka ndonjë gjë që mund ta bashkojë tani këtë vend? Zakonisht ajo që duhet është një krizë. Amerikanët u bashkuan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Nga shtatori i vitit 2001 dhe deri në shtatorin e një viti më pas, shumica e demokratëve e mbështetën presidentin republikan George W.Bush në veprimet e tij. Por ky uniteti zgjati vetëm një vit. Ai përfundoi në shtator e vitit 2002, kur administrata Bush njoftoi “përgatitjen”e luftës në Irak.

Krizat krijojnë mundësi për udhëheqësit. Pandemia ishte një krizë që mund ta kishte bashkuar vendin. Por presidenti Trump refuzoi me vendosmëri që ta trajtojë pandeminë si një krizë, pasi kjo kërcënonte rizgjedhjen e tij. “Unë doja që ta injoroja atë”- shpjegoi ish-presidenti kur shpërtheu pandemia.

“Dhe ende më pëlqen që të neglizhoj pasi nuk dua që të shkaktoj panik”- theksoi ai. Trump e trajtoi pandeminë ashtu si çdo lloj çështje tjetër, si një mundësi për ta përçarë vendin. Por në fund pandemia rezultoi të ishte çështja që e rrëzoi atë nga pushteti./Përktheu: Alket Goce-abcnews.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *