Kërkohet dorëheqja e kryetarëve të katër komunave veriore

0
Shpërndaje lajmin

Kryetarët e katër komunave në veri duhet të japin dorëheqje, pasi shkarkimi përmes peticionit qytetar zvarrit shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri, thonë njohësit e proceseve zgjedhore dhe analistët politikë. Sipas tyre, pavarësisht nisjes së procedurave për hartimin e një udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri, duhet një marrëveshje politike që këta të fundit të japin dorëheqje, pasi stërzgjatja e zgjedhjeve të reja në veri i shkon përshtati vetëm Serbisë.
Njohësi i proceseve zgjedhore, njëherësh ish-kryetar i KQZ-së, Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress se iniciativa e qeverisë për hartimin e një udhëzimi administrativ është legjitime, pasi njëra nga mënyrat e shkuarjes në zgjedhje në veri është edhe peticioni qytetar.
Ai edhe tregon procedurat si duhet të ndiqen nëse shkohet në këtë formë, mirëpo nënvizon se rruga më e lehtë dhe shpejtë edhe për t’i plotësuar kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë është dorëheqja e kryetarëve.
Skeptik se do të ketë sukses peticioni për shkarkimin e kryetarëve është edhe analisti politik, Albinot Maloku.
Ai thotë për KosovaPress se faktori ndërkombëtar nuk është i interesuar për këtë model, andaj duhet të insistohet që kryetarët të japin dorëheqje sa më shpejtë dhe të shpallen zgjedhjet në veri.
Qeveria e Kosovës gjatë kësaj jave ka nisur procedurat për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka formuar një grup punues për hartimin e një udhëzimi administrativ për për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Ky udhëzim administrativ është thënë se do të hartohet deri më 1 shtator.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, vazhdimisht e ka shprehur se dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore është zgjidhje më e lehtë dhe shpejtë për shtensionimin e plotë të situatës në veri./KosovaPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *