Kërkonte thesarin e famshëm të Forrest Fenn, rrezikon 12 vjet burg

Share

Rodrick Dow Craythorn, mund të dënohet me 12 vite burg pasi po kërkonte për thesarin e famshëm të Forrest Fenn në Parkun Kombëtar Yellowstone.

52 vjeçari, u deklarua fajtor për akuzat e gërmimit dhe trafikimit të burimeve arkeologjike dhe dëmtimit ose zhvlerësimit të pronës së Shteteve të Bashkuara, sipas Zyrës së Prokurorit të SHBA-së për Distriktin e Wyoming.

Prokurorët thonë se Craythorn u gjet disa herë duke gërmuar në Varrezat historike Fort Yellowstone midis 1 tetorit të vitit 2019 dhe 24 majit të 2020, me shpresën për të gjetur thesarin.

Varrezat mbajnë 35 varre që datojnë midis viteve 1888 dhe 1957, shumica e tyre ushtarë dhe punonjës civilë të Ushtrisë.

Fenn, një historian arti dhe koleksionist veprash antike, fshehu një arkë bronzi të mbushur me rreth 1 milion dollarë ar, bizhuteri dhe objekte të tjera diku në Malet Shkëmbore. Ai botoi të dhëna për vendndodhjen e thesarit në një poezi në autobiografinë e tij të vitit 2010.

Prej atëherë, shumë njerëz nga e gjithë bota kanë kërkuar për thesarin dhe të paktën dy njerëz kanë vdekur gjatë kërkimit. Qershorin e kaluar, Fenn njoftoi se një burrë që donte të mbetej anonim kishte gjetur thesarin në shkretëtirën e Wyoming, por kjo nuk i ndali gjuetarët. Fenn vdiq në shtator të vitit 2020, në moshën 90 vjeç.


Share

Komente