April 15, 2021

Këshilli Bashkiak ngriu planin e 820 milionëve, Xhaferi: E gjejmë zgjidhjen për Vllazninë

Shpërndaje lajmin

Vllaznia është në një moment të vështirë, për shkak se rrezikon licencimin nga UEFA për të marrë pjesë në kupat e Europës. Shkodranët kanë një borxh të madh ndaj Degës së Tatimeve në Shkodër, për sigurimet shoqërore dhe detyrimet tatimore.

Bëhet fjalë për një shifër që kap vlerën e 1.6 miliard lekëve me gjithë gjoba e kamata. Gjithsesi brenda saj është edhe një shifër prej 360 milionësh për të cilën Vllaznia ka hapur një proces gjyqësore dhe ka pretendimet e saj për përllogaritjen e atij borxhi.

Një ditë më parë u tentua të gjendej një zgjidhje, duke u propozuar rishpërndarja e fondeve të Bashkisë Shkodër. Synohej që 820 milion lekë të shkonin për Vllazninë, shifër që do përdorej për të paguar menjëherë 20% të borxhit dhe më pas këstet deri në fund të vitit 2021.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u votua kundër futjes së kësaj teme në rendin e ditës, pasi këshilltarët gjykuan se nuk kishin informacionin e nevojshëm. Shtyrja e kësaj çështjeje për një moment të dytë nuk i shkon për shtat Vllaznisë, që duhet të arrijë një marrëveshje me tatimet deri më 31 mars.

Gjithsesi përpjekjet për ta zgjidhur këtë problem do të vazhdojnë. Sponsori Alban Xhaferi, për “Shkodra Sport” ka deklaruar: “Të them të drejtën prisnim vendim tjetër nga Këshilli Bashkiak, megjithatë unë u premtoj tifozëve se do të gjejmë një zgjidhje.

Vllaznia do të licencohet për në Kupat e Europës dhe ne nuk do ta lëmë në baltë skuadrën, por do të gjejmë një zgjidhje”. Vllaznia aktualisht renditet në vendin e parë në klasifikim, me një pikë më shumë se Laçi dhe është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, çka ia shton shumë shanset që të marrë pjesë në kupat e Europës. /abcnews.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *