Kim mbërrin me trenin e blinduar në Rusi, çfarë pritet nga takimi me Putin
Lideri koreano-verior Kim Jong Un ka mbërritur në Rusi me trenin e blinduar të përdorur nga familjarët e tij prej dekadash.
Sipas Uashingtonit, synimi i vizitës së Kim është të arrijë një marrëveshje që do t’i mundësonte Rusisë municionet që i duhen për luftën në Ukrainë dhe Koresë së Veriut, në këmbim, ndihmë ekonomike dhe teknologji ushtarake.
Takimi mes Putin dhe Kim, sipas Kremlinit, do të zhvillohet në ditët e ardhshme. Dy liderët nuk janë takuar personalisht me njëri-tjetrin që prej vitit 2019.
Moskës i duhen armët koreane për t’i bërë kontrast fluksit të armatimeve të Perëndimit drejt Kievit, që së shpejti do të marrë edhe avionë “F-16”. Por sipas presidentit Putin, kjo nuk do të ndryshojë asgjë.
“A ka ndryshuar gjë deri tani? Anglezët i japin prej kohësh municione Kievit. A ka ndryshuar gjë në terren? Jo. Tani do t’i japin avionë “F-16”. A do të ndryshojë gjë kjo? Jo, thjesht do të zgjasë konfliktin”, tha Putin.
Pekini nuk ka qëndruar indiferent ndaj vizitës së Kim Jong Un jashtë vendit. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ka deklaruar se dy vendet duhet të thellojnë bashkëpunimin në shumë fusha.