November 29, 2021

KLGJ vijon praktikën e mbledhjeve plenare të mbyllura

Shpërndaje lajmin

Këshilli i Lartë Gjyqësor shqyrtoi me dyer të mbyllura pjesën më të madhe të mbledhjes plenare të martën, ku shqyrtoi kandidatët për Shkollën e Magjistraturës si dhe disa emërime në shërbimin civil gjyqësor – pa shpjeguar arsyet.

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Foto kortezi: KLGJ

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ mbylli dyert edhe në mbledhjen plenare të zhvilluar të martën më 19 tetor. Koordinatori për të drejtën e informimit, Elis Kuçi u dërgoi medieve të hënën dy njoftime lidhur me mbledhjen plenare që do të zhvillohej të martën, ku në të dytin sqarohej se një pjesë e mbledhjes do të zhvillohej me dyer të mbyllura.

“Ju njoftoj se nga pika 1, deri në pikën 12, për shkak të materialit që do trajtohet, mbledhja do zhvillohet me dyer të mbyllura,” sqaroi Kuçi. Mbledhja ishte e hapur nga pika 13 në pikën 17 të rendit të ditës.

E njëjta praktikë u ndoq edhe në mbledhjen e mëparshme, ku u diskutua kualifikimi apo skalifikimi i kancelarëve për 4 gjykata, pa sqaruar arsyet dhe bazën ligjore të këtij vendimi. Nëpërmjet një reagimi një ditë më vonë, KLGJ la të kuptohej se mbledhjet plenare për rekrutimin e kandidatëve për kancelarë, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë mund të zhvillohen vazhdimisht me dyer të mbyllura, me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale, konfidenciale apo të klasifikuara të kandidatëve.

Të martën, pikat e rendit të ditës që u trajtuan me dyer të mbyllura kishin të bënin me shqyrtimin e projektvendimeve për kualifikimin/skualifikimin e kandidatëve për formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës; për emërimin në shërbimin civil gjyqësor në pozicionin e këshilltares apo ndihmëses ligjore dhe për një kancelare në një gjykatë Apeli.

I pyetur lidhur klasifikimin e materialit që do të trajtohej në këto pika; për vendimarrjen e KLGJ-së dhe legjislacionin ku është bazuar KLGJ për të zhvilluar mbledhjen me dyer të mbyllura, koordinatori Kuçi pohoi se nuk mund të jepte informacion pasi nuk gjendej në punë për arsye objektive.

Edhe anëtari i KLGJ-së, Erjon Muharremaj i caktuar për marrëdhëniet me mediet nuk dha sqarime për këtë vendimarrje të KLGj-së dhe as për bazën ligjore. Ai u shpreh se për këtë pyetje kërkohet përgjigje institucionale dhe sygjeroi dërgimin e kërkesës në adresën elektronike të KLGj-së, që sipas ligjit “Për të drejtën e informimit”, parashikohet që institucionet shtetërore kanë të drejtë të kthejnë përgjigje brenda një afati 10 ditë punë, ose dy javë kalendarike.

Sipas ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, mbledhjet plenare të Këshillit të Lartë Gjyqësor janë të hapura për publikun, me përjashtim të procedurave të rishikimit. Sipas ligjit, bëhet fjalë për rastet kur një akt administrativ individual është nxjerrë nga komisioni dhe subjektet e kërkojnë anulimin apo ndryshimin e tij nga mbledhja plenare e Këshillit.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *