April 18, 2021

KMSHZ, xhamia dhe islamshop-i distancohen nga libri problematik

Shpërndaje lajmin

Një libër me udhëzime për besimin mysliman në gjermanisht i cili shpjegon se si burrat duhet t`i ndëshkojnë gratë e tyre, dhe që proklamonte vrasjen e kundërshtarëve të Muhamedit, është bërë temë debati në mediat zvicerane këto ditë. Ndërkohë, operatori i Islamshop-it, që e kishte vënë këtë libër në shitje, tashmë e ka hequr atë nga asortimenti.

“Ne e dënojmë thellësisht përmbajtjen e librit dhe menjëherë kemi  ndaluar shitjen e tij”, është shprehur  kreu i Islamshop-it për 20 Minuten. Libri nuk do të shitet më në të ardhmen dhe librat do t’i kthehen shitësit në Gjermani.

Siç ka raportuar “Tages-Anzeiger”, dyqani në internet operohet nga një xhami në Cyrih-Seebach. Kreu i Islamshop-it kundërshton këtë, transmeton albinfo.ch. “Xhamia nuk ka asnjë lidhje me shitjet nga dyqani.”

Pronari i dyqanit është FRI Swiss GmbH, e cila ka marrë me qira paradhomën e xhamisë dhe prej aty operon dyqanin. Ai thekson: “Ne dhe xhamia shprehimisht distancohemi nga librat që mbështesin ekstremizmin. Ne i përkasim Islamit të moderuar, jetojmë të qetë këtu dhe duam të vazhdojmë kështu”.

Policia e Qytetit të Cyrihut thotë për gazetën se aktualisht po shikojnë nëse përbën vepër penale përmbajtja ose shpërndarja e librit.

Ndërsa në Komunitetin Musliman Shqiptar në Zvicër, të pyetur nga 20 minuten, thonë se nuk kishin njohuri mbi librin.

“Si shpërndarësi ashtu edhe xhamia tani janë distancuar qartë nga përmbajtja e librit. Ne jemi në kontakt me xhaminë dhe duam të sqarojmë rastin, gjithashtu për t’i bërë ata të vetëdijshëm për këtë në mënyrë që raste të tilla të parandalohen në të ardhmen”, përcjell albinfo.ch.

Më tej në përgjigje thuhet: “Përmbajtja e librit nuk korrespondon me kuptimin tonë të Islamit. Ne mbështesim  praktikimin jo të dhunshëm të fesë dhe barazin për gratë dhe burrat në të gjitha fushat e jetës “.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *