December 1, 2021

Kolegji mbyll shqyrtimin e çështjes ndaj gjyqtares Alkelina Gazidedja

Shpërndaje lajmin

Komisioneri Publik, Darjel Sina i qëndroi ankimit dhe kërkoi shkarkimin e gjyqtares së Apelit Administrativ, Alkelina Gazidedja, ndërkohë që subjekti kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.

Gjyqtarja Alkelina Gazidedja pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u njoh të martën me konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, Darjel Sina dhe gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Alkelina Gazidedja.

Sina theksoi se i qëndronte ankimit dhe kërkoi shkarkimin e Gazidedes për pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurisë dhe problemet për profesionalizmin, ndërsa subjekti i rivlerësimit i konsideroi të pabazuara shkaqet e ngritura në ankim dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit.

Gazidede u konfirmua në 10 korrik 2020 nga KPK, por u referua për Apel nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, rekomandimi të cilit u pasua me ankimin e Sinës.

Komisioneri Sina deklaroi që në fillim të fjalës së tij se gjyqtarja Gazidede nuk kishte arritur që me shpjegimet dhe provat e dorëzara gjatë procesit në Kolegj, të kundërshtonte shkaqet e ankimit. “Për pasurinë dhe profesionalizmin mbetet e njëjta gjendje,” tha ai.

Sina vërejti se një pjesë e punimeve për ndërtimin e shtëpisë që subjekti ndan me prindërit e bashkëshortit, ishin kryer gjatë periudhës që ajo ka ushtruar detyrën e gjyqtares. Sina theksoi se subjekti ka pasur detyrimin të deklaronte saktë shpenzimet, ndërsa shtoi se nuk kishte arritur t’i provonte me dokumentacion ato.

Lidhur me pretendimin e subjektit për të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti nga punësimi me kohë të pjeshme, si dhe ato nga qiraja, Sina vërejti se subjekti i rivlerësimit i ka paguar detyrimet tatimore në vitin 2019. “Pagesa e detyrimeve gjatë hetimit administrativ nuk mund të përbëjë prove,” tha Sina.

Ai u ndal edhe tek kusimet cash, duke sjellë në vëmendje se deklarimet vjetore sipas ligjit përdoren si provë në procesin e rivlerësimit.

“Deklarimet vjetore tregojnë realitetin,” vijoi argumentimin Sina dhe theksoi faktin se Gazidede nuk ka pasqyruar asnjëherë gjendje cash si dhe nuk ka deklaruar që për krijimin e pasurisë të kenë shërbyer këto lloj likujditetesh.

Sipas Komisionerit, subjekti nuk provoi dot mbulimin e investimeve të kryera në këtë banesë.

Konkluzionet përfundimtare të gjyqtares Gazidedja u paraqitën nga avokatja Reso. Për afro tre orë, Reso lexoi 54 faqe me kundërshtime ndaj konkluzioneve të Komisionerit Sina. Ajo deklaroi se vendimi i Komisionit ishte konkluduar pas një hetimi administrativ të thelluar.

“Nuk ka qenë e lehtë t’u mbushej mendja anëtarëve të KPK,” theksoi ajo.

Reso e cilësoi ankimin dhe konkluzionet e Komisionerit Sina të pabazuar dhe të pargumentuar. “Komisioneri thotë se vlera e deklaruar nga subjekti i rivlerësimit për ndërtimin e shtëpisë është e vogël, por nuk thotë se sa duhet të jetë,” konstatoi avokatja.

Për mangësitë në deklarimet periodike ajo u shpreh se nuk mund të përbëjnë shkak për shkarkimin. Sipas Resos, këto mangësi quhen parregullsi sipas ligjit dhe shtoi se KPK ka marrë në konsideratë se ndërtimi ka qenë informal.

Reso solli në vëmendje të trupit gjykues jurispudencën e KPA dhe të Gjykatës së Lartë dhe të KPK, duke pretenduar se subjekti nuk kishte përgjegjësi për diçka të bërë në mënyrë të paqëllimshme.

Avokatja vijoi arsyetimin e saj duke pretenduar se subjekti nuk ka pasur detyrim të deklaronte papafingon, përsa ishte ende në proces legalizimi. “Do të përbënte detyrim vetëm në momentin e legalizimit,” pohoi ajo dhe vërejti se vetë në jurispudencën e KPA përcaktohet se edhe nëse nuk do ishte deklaruar një ndërtim në proces legalizimi, nuk ka penalizim.

Sipas avokates Reso, është e pamundur të përcaktohen shpenzimet e kryera në ndërtimet informale. Ajo shtoi se në këtë rast, mjaft punime janë kryer nga vjehrri e bashkëshorti.

Sipas Resos, vlera e punimeve e deklaruar nga subjekti është e përfaërt me kostot mesatare sipas EKB. Ajo e quajti të pabazuar konkluzionin e Komisionerit se nuk është deklaruar vlera e shpenzimeve për ndërtimin e shtëpisë. Gjithashtu, cilësoi të pabazuar edhe konstatimin për të ardhurat e bashkëshortit të subjektit nga puna dhe qiraja.

Sipas saj, ndryshe nga sa pretendon Komisioneri, KPA ka vlerësuar se pagesa me vonesë e detyrimeve tatimore, qoftë edhe gjatë procesit të vetingut, nuk sjell penalizim.

Lidhur me dhënien e ambjenteve të banimit me qira, Reso shpjegoi se qiramarrës kanë qenë studentë për periudha të shkurtra dhe për këtë arsye nuk ka qenë detyrim për të lidhur kontratë formale. Për mospagimin e detyrimeve për të ardhurat e përfituara nga qiraja, Reso pretendoi se ka qenë detyrim i qiramarrësit.

Reso theksoi se Komisioneri me të padrejtë nuk konsideron bashkëjetësën me prindërit e subjektit sipas ‘traditës zakonore”. Ajo argumentoi se kursimet në cash janë administruar nga vjehrri i subjektit dhe prandaj nuk janë deklaruar, ndërsa vjehrri sipas saj nuk ka pasur detyrim për deklarim.

“Mosdeklarimi i gjendjes cash nuk e zeron mundësinë e kursimit,” pohoi avokatja dhe këmbënguli se subjekti ka pasur burime të ligjshme dhe të mjaftueshme duke arritur nivel të besueshëm për pasurinë.

“Komisioneri Publik nuk thotë se cilin ligj ka shkelur KPK,” konstatoi Reso lidhur me pretendimin e Sinës se vlerësimi nga KPK i pasaktësive në deklarim dhe mungesës së burimeve ishte i pasaktë.

Profesionalizmi

Parashtrimet përfudimtare për profesionalizmin, Sina i filloi me çështjet e shqyrtuara nga gjyqtarja Gazidedja ku palë ka qenë edhe kompania “Albtelekom” ku zotëron aksione, edhe pse me vlerë mjaft të vogël. Sina ngre si shkak gjendjen e Gazidedes në kushtet e konfliktit të interesit në shqyrtimin e këtyre çështjeve. “Subjekti nuk provoi dot të kundërtën e shkakut të ankimit,” tha Sina.

Për çështjet e tjera të marra në shqyrtim në kriterin profesional, Sina tha se shkeljet e subjektit tregojnë mangësi në demonstruara në kuptim të njohjes së ligjit. Gjithashtu, u vërejt tejkalimi i afatit të shqyrtimit të çështjeve.

Ai deklaroi se mangësitë janë të përsëritura dhe duhet të konsiderohen në vlerësimin tërësor. “Mangësi të tilla nuk justifikojnë konfirmimin në detyrë,” pohoi komisioneri Sina dhe në përfundim kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares Gazidede.

Avokatja Reso deklaroi se Sina ka dështuar edhe në analizimin e veprimeve apo mosvperimeve të subjektit dhe se vendimi i Komisionit për transferimin e çështjeve për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas ligjit është i paankimueshëm.

Ajo solli në vëmendje se ILD kishte vendosur mosfillimin e procedimit disiplinor për dy çështje për shkak të parashkrimit. Për dy çështjet e tjera ka vendosur pezullimin deri në përfundim të procesit në KPA. Reso vërejti se çështjet e parashkruara nuk duhet të shqyrtohen nga Kolegji.

Lidhur me shkakun për gjendjen e Gazidedes në situatën e konfliktit të interesit për dy çështje, Reso e mbrojti subjektin duke sjellë në vëmendje faktin se Albtelekom nuk kishte shpërndarë divident dhe për pasojë, subjekti apo të afërmit nuk kishin përfituar asnjëherë të ardhura.

“Nuk është e mjaftueshme për penalizim dukja e një interesi, por duhet të provohet se interesi egziston,” tha Reso. Ajo pretendoi se sjellja e subjektit nuk ka qenë në papajtueshmëri dhe se nuk është cënuar paanshmëria, pasi nuk ka pasur trajtim preferencial. “Nuk ka ndonjë përfitim apo pasojë,” vijoi Reso.

Shqyrtimin e çështjeve jashtë afatit, Reso e justifikoi me ngarkesën e madhe në punë të Gazidedes dhe të gjyqtarëve të tjerë në Gjykatën Administrative të Apelit, që sipas saj është një fakt publik.

Lidhur me çështjet e tjera, avokatja sqaroi se janë në gjykim në Gjykatën e Lartë dhe se nuk mund të trajtohen nga Kolegji.

“Asnjë prej shkaqeve në ankim nuk është i arsyetuar. Janë thjesht mosdakordësi që Komisionerit Publik për gjëra të vogla që ka menduar se të gjitha bashkë do të bëjnë një gjë të madhe,” pohoi Reso dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Gazidedja.

Në përfundim të seancës, Kolegji mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe shtyu seancën për shpalljen e vendimit më datë 23 nëntor, ora 12:00.

 

 

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *