September 24, 2021

Kolegji nis procesin për dy ish-gjyqtarë të dënuar për korrupsion

Shpërndaje lajmin

Dy ish-gjyqtarët Ibrahim Hoxha dhe Shkëlqim Miri – të dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion, nuk u paraqitën në seancën publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA ku po shqyrtohen ankimet e Komisionerit Publik, Darjel Sina ndaj vendimeve të KPK-së për ndërprerjen e vetingut ndaj këtyre subjekteve.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA nisi të mëkurën shqyrtimin e ankimeve të Komisionerit Publik, Dariel Sina kundër vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ish-gjyqtarët Ibrahim Hoxha dhe Shkëlqim Miri, ankime nëpërmjet të cilave kërkohet standardizimi i praktikës ligjore për raste të ngjashme.

Me vendimin e 13 nëntorit 2020, KPK vendosi të përfundojë procesin e vetingut pa marrë një vendim për ish-gjyqtarin e Tiranës, Ibrahim Hoxha, i shkarkuar në vitin 2017 nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi ishte dënuar me 2 vjet burgim për “korrupsion pasiv”.

Sina e ankimoi vendimin e KPK-së për Hoxhën, duke e konsideruar ndëprerjen e vetingut për këtë subjekt rivlerësimi pa një vendim përfundimtar, si një situatë të paparashikuar në ligj dhe i kërkoi Kolegjit të japë orjentim për trajtimin e rasteve të tjera të ngjashme në të ardhmen. Gjatë seancës publike të mërkurën, ish-gjyqtari Hoxha nuk ishte i pranishëm. Për t’u siguruar për njoftimin e Hoxhës për zhvillimin e procesit, Kolegji vendosi të administrojë prej KPK-së deklartën e pasurisë së këtij subjekti, me qëllim saktësimin e adresës elektronike dhe të kontakteve të deklaruara prej vetë këtij subjekti rivlerësimi dhe kryerjen e njoftimit për seancën e radhës që u vendos të shtyhet për më datë 13 shtator, ora 10:00.

Ibrahim Hoxha u arrestua në vitin 2016 për marrjen e një ryshfeti në shumën 600 mijë lekë një pale në një proces civil dhe u dënua me dy vjet burgim. Gjitashtu, atij iu hoq e drejta për të kryer funksione publike për tre vjet.

Për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, Komisioni vendosi më 23 prill 2021 të ndëpresë procesin e vetingut, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor e kishte shkarkuar më parë atë nga detyra për shkak të dënimit të formës së prerë me dy vjet burg.

Për këtë ankim, Komisioneri Sina kërkoi që të shqyrtohet pas vendimarrjes së Hoxhës, pasi seanca për këtë të fundit ishte zhvilluar pak orë më parë. Pasi kjo kërkesë u rrëzua nga Kolegji si e pabazuar në ligj, Komisionerit iu kërkua të paraqesë një analizë lidhur me një fjali të shprehur prej tij gjatë seancës të mëkurën, kur deklaroi se Shkëlqim Miri kishte ushtruar rekurs ndaj vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda.

Sipas Sinës, nëse Gjykata e Lartë do ta shpallte të pafajshëm Mirin, atëherë ky vendim do të afektonte atë të formës së prerë dhe do të sillte rikthimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi. Ai vijoi se Komisioni duhej të kishte pritur përfundimin e procesit gjyqësor ndaj Mirit në Gjykatën e Lartë dhe pastaj të dilte me vendim.

Në seancë u evidentua se ish-gjyqtari Miri ishte njoftuar për këtë seancë dhe se nuk kishte dorëzuar asnjë shkak të arsyeshëm për mospraninë e tij.

Pasi Komisioneri Sina tha se nuk kishte asnjë kërkesë tjetër, Kolegji vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor për Mirin dhe kërkoi që në seancën e radhës më 8 shtator, ora 10:00 të paraqiten konkluzionet përfundimtare.

Shkëlqim Miri u arrestua në nëntor 2017, ndërsa iu kapën afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi. Ai u dënua më pas për “korrupsion pasiv” në favor të një personi të dënuar për vrasje.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *