November 28, 2021
Shpërndaje lajmin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit Alkelina Gazidede, pasi kishte mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë.

Gjyqtarja Alkelina Gazidedja pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të martën se kishte vendosur shkarkimin e gjyqtares Alekelina Gazidede e Gjykatës Administrative të Apelit. Sipas Kolegjit Gazidede u gjet me mungesë burimesh për pasuritë e deklaruara dhe u shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Gjyqtarja Gazidede u konfirmua në detyrë më 10 korrik nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Firdes Shuli.  Ndërkohë 4 çështje për të cilat ajo u akuzua se kishte konflikt interesi dhe kishte shkelur parimin kushtetues të paanshmërisë u dërguan për procedim disiplinor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e kritikoi vendimin e KPK-së për t’i transferuar çështjet, duke e komentuar këtë si “heqje dorë nga detyra kushtetuese” dhe kërkoi apelim të vendimit. Komisioneri Publik ankimoi vendimin në KPA dhe kërkoi shkarkimin e Gazidedes për shkeljet në kriterin e pasurisë dhe ato në kriterin profesional.

Trupa e Kolegjit e kryesuar nga Ina Rama me relator Ardian Hajdari e anëtarë  Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz gjeti, se ankimi i Komisionerit Publik qëndronte sa i përket kriterit të pasurisë.

Gjatë leximit të vendimit kryesuesja Ina Rama tha se KPA kishte arritur në konkluzione të ndryshme nga ato të KPK dhe se Gazidede rezultonte me “mungëse burimi të ligjshëm për justifikimin e pasurisë”, që përfshinte një shtëpi tre katëshe, një truall, një njësi tregtare dhe 2 makina.

Rama tha se në të paktën tre raste mosdeklarimi i cashit nga Gazidede në vitet e kryerjes së shpenzimeve e kishte penalizuar gjyqtaren. Kolegji arriti në përfundimin se vendimi i KPK duhej ndryshuar dhe vendosi shkarkimin e Gazidedes. KPA nuk u shpreh për profesionalizmin në vendimin e shkurtuar që u lexua në sallë.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *