Kolonel Demiraj: Çfarë na mësoi dështimi i turpshëm i Putinit dhe përse Kosovës e Shqipërisë i duhen dronët Bayraktar

Shpërndaje lajmin

Ish-komandanti i Forcave të Speciale, njëherësh ish-ministër i Brendshëm, Koloneli Dritan Demiraj, ka bërë një analizë për luftën Rusi-Ukrainë.
Ai ka nxjerrë disa “mësime” nga lufta në Ukrainë dhe ka nënvizuar rëndësinë e dronëve turq Bayraktar për Shqipërinë e Kosovën.
Komentet Demiraj i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale.
ANALIZA E DEMIRAJT:
USHTRIA E PUTINIT DREJT DËSHTIMIT TË TURPSHËM.
Ndërkohë që kemi hyrë në javën e gjashtë të përpjekjes së dështuar të Rusisë për të pushtuar Ukrainën, mendoj se duhen analizuar shkaqet, rrethanat të cilat po ndikojnë në këtë pushtim të jashtëligjshëm dhe kriminal.
Në përpjekje për të mbajtur ritmin e operacioneve luftarake në Ukrainë, Vladimir Putini se fundi firmosi një dekret presidencial për mobilizimin e shpejtë të 134.500 rekrutëve të rinj të moshës 18-27 vjeç, kryesisht studentë nga universitetet dhe nga zonat rurale të Rusisë.
Por si mund të ‘lexohet’ kjo?
Tashmë pamjet e videove të tankeve, helikopterëve luftarakë, mjeteve të blinduara, transportit dhe logjistikës të shkatërruara me shumicë nga sulmet e vazhdueshme, intensive, ditën, natën në zona urbane dhe rurale të ushtrisë dhe të njësive të rezistencës Ukrainase po bëjnë xhirot e Botës.
Këtyre videove u mungonin vetëm pamjet e rekrutëve studentë rusë të frikësuar, të pamotivuar, të papajisur, të pastërvitur, etj të cilët po merren me forcë në universitete, duke i çuar drejt vdekjes në një mision tashmë të pamundur. Janë vetë këta studentë, të cilët kanë denoncuar me zë dhe figurë dërgimin e tyre me forcë në Ukrainë, duke kërkuar që ato video të shpërndahen në mënyrë që t’i shohë e gjithë bota.
Kjo tregon qartë se popullsia i Rusisë nuk është në armiqësi me popullin e Ukrainës, por është pushteti korruptiv tashmë krejtësisht i izoluar nga ndërkombëtarët i Putinit dhe i stafit të tij të ngushtë, të cilët duan shkatërrimin dhe nënshtrimin e Ukrainës. Askush nuk e kishte menduar se rezistenca e Ukrainës do të ishte kaq e suksesshme, e qëndrueshme dhe e lëvizëshme. Deri në ditën e sotme ushtria ruse përveç dinjitetit, forcës së ‘pathyeshmërisë’, luftës psikologjike, luftës informative, luftës së parregullt dhe luftës asimetrike, etj ka humbur më shumë se 30.000 ushtarë (të vrarë, plagosur, kapur peng, dezertuar nga posti luftarak) një numër shumë i lartë ky që pasqyron jo më pak 1/5 e sasisë së përgjithshme të trupave të angazhuara në luftime në Ukrainë.
Kjo pasqyrohet qartë tek urdhri i fundit për t’u tërhequr nga rrethinat e Kievit, rajonet e Çernobilit, në frontin e Kharkiv-it, Irpin, Chernihiv Zaporizhia, etj për tu përqëndruar më tepër tek dy republikat e shpallura të pavarura të Luhanskut dhe Donetskit.
Është e qartë për çdo ekspert ushtarak se kjo tërheqje e detyruar vjen pas kundërsulmeve të suksesshme të njësive speciale ukrainase rreth kryeqytetit, pas humbjeve të turpshme dhe ky mobilizim i sforcuar tregon qartë situatën drastike në të cilën ndodhet ushtria ruse.
Ky konflikt duhet të shërbejë për të nxjerrë mësime për ushtritë e NATO-s, përfshirë këtu edhe ushtritë tona në Shqipëri dhe në Kosovë, se duhet të ridimencionojmë sa më parë strukturat e njësive luftarake, pajisjet, armatimin dhe stërvitjen me qëllim përballjen me sukses të konflikteve të ngjashme në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.