April 14, 2021

Kombëtarja e Kosovës përgatitet për përballjen me Lituaninë

Shpërndaje lajmin

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën stërvitore në prag të ndeshjes miqësore kundër Lituanisë, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Dardanët stërvitën në fushën me bari sintetik në Kampin Nacional Edukativ në Hajvali.

Në këtë stërvitje mungoi Amir Rrahmani për shkak të lëndimit, derisa portieri Arijanet Muric është larguar nga grumbullimi për shkak të shkeljes së rregullores disiplinore.

Lidhur me grumbullimin e këtij muaji, përzgjedhësi Bernard Challandes foli kryesisht për ndeshjen ndaj Lituanisë, por edhe për atë kualifikuese kundër Suedisë.

“Jemi në prag të një fushate eliminatore dhe kemi një miqësore ndaj Lituanisë, që është mjaft e rëndësishme. Kjo miqësore vjen në një kohë të mirë, pasi kemi përballë një kundërshtar të fortë. Për mua dhe për futbollistët kjo miqësore është mjaft e rëndësishme si për mua. Duam të shohim ku jemi dhe të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Challandes.

Ai më tutje ka konfirmuar se në miqësoren  e nesërme do të mungojë Amir Rrahmani, i cili është i lënduar, derisa ka shprehur shpresën që së paku në ndeshjen e tretë kundër Spanjës të jetë në shërbim të tij. Ndërkohë, lajmet për një sherr midis Edon Zhegrovës dhe Arijanet Muricit i ka quajtur ‘fake news’, teksa ka thënë se lojtari është përjashtuar nga grumbullimi për shkak të çështjes disiplinore, gjë e cila ndodh ka ndodhur dhe ndodh edhe në kombëtaret e tjera.

Duke folur për synimet në këto kualifikuese përzgjedhësi Challandes është shprehur: “Duke parë edhe grupin që kemi do të jetë e vështirë. Nëse ju them që do të shkojmë në Katar, ju do të qeshni, por nëse ju them që nuk kemi shanse, atëherë unë jam një trajner i keq. Ndaj më mirë të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, me synimin për të bërë sa më mirë. Unë jam këtu për të përmirësuar lojën e skuadrës dhe për të bërë progres. Ky është qëllimi im dhe për këtë punoj, pasi vetëm më vonë mund të arrijmë edhe rezultate konkrete”.

Ndërkaq, Valon Berisha theksoi se miqësorja me Lituaninë është e rëndësishme dhe test i mirë për ta përgatitur ndeshjen pasardhëse. “Edhe për mua si futbollist është shumë me rëndësi kjo miqësore, pasi kemi kohë që nuk luajmë bashkë dhe duhet të shohim ku jemi, por edhe të marrim pak entuziazëm para eliminatoreve”.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *