Komisioni Evropian rekomandon hapjen e kufijve për të vaksinuarit

Shpërndaje lajmin

Komisioni propozon që vendet anëtare të BE-së të hapin kufijtë për të vaksinuarit ndaj COVID-19 por vetëm në rastet kur vaksinat janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave, ku deri më sot nuk përfshihen vaksinat kineze dhe ruse.

Vendkalimi kufitar i Kakavijës | Foto nga : Raimond Kola

Komisioni Evropian i propozoi të hënën vendeve anëtare të lejojnë hyrjen e të huajve për “arsye jothelbësore” nga vendet me situata të mira epidemiologjike por edhe për të gjithë njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të një vaksine të autorizuar nga BE-ja.

Shqipëria ka realizuar deri më sot 500 mijë vaksinime, por shumica dërrmuese e tyre janë me vaksina të paautorizuara për përdorim nga BE.

“Vendet anëtarë duhet të lejojnë udhëtimin në BE të atyre që kanë marrë, së paku 14 ditë para mbërritjes, dozën e fundit të rekomanduar të një vaksine që ka marrë autorizim për tregtim nga BE,” thuhet në njoftimin e Komisionit. [Link]

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka autorizuar deri më sot përdorimin e katër vaksinave kundër COVID-19, BioNTech&Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Janssen Pharmaceutica NV.

Komisioni ia ngarkon vendeve anëtare të zgjedhin nëse në listën e vaksinave të pranueshme duhet të përfshijnë apo jo vaksinat e autorizuara për përdorim në kushtet e emergjencës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vendet anëtare rekomandohen gjithashtu të heqin detyrimet aktuale që udhëtarët të paraqesin një test negativ ose të karantinohen për dy javë. Ato duhet gjithashtu të krijojnë një faqe interneti ku udhëtarët të mund të verifikojnë vlefshmërinë e pasaportave të tyre të vaksinimit.

Shqiptarët mund të përfitojnë nga lehtësimi i kritereve

Komisioni ka propozuar gjithashtu ndryshimin e kriterit të vendosjes së kufizimeve për udhëtarët nga niveli aktual prej 25 infektime për 100 mijë banorë në 100.

Aktualisht vendet anëtare të BE-së vendosin kufizime për qarkullimin e njerëzve nga vendet në të cilat numri kumulativ i rasteve të reja të identifikuara në dy javët e fundit është më i lartë se sa 25 për njëqind mijë banorë. Shqipëria e ka aktualisht 23 raste për 100 mijë banorë [link Reuters], por kjo është situata e vetëm javëve të fundit.

Propozimi duhet të shqyrtohet nga Këshilli i krerëve të shteteve të BE-së para se të bëhet realitet. Nëse pranohet, Komisioni do të zgjerojë listën e vendeve nga ku lejohet të udhëtohet për qëllime “jothelbësore” të tilla si turizëm, por në këtë rast vendet anëtare mund të vijojnë të imponojnë kërkesa për test negativ apo për karantinim.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *