January 18, 2022

Komisionit Disiplinor në KPA i kërkohet shkarkimi i Luan Dacit

Shpërndaje lajmin

Gjyqtari hetues i procedimit disiplinor, Ardian Hajdari kërkoi shkarkimin e kolegut të tij, Luan Daci me argumentin se pas rrëzimit të rekursit nga Gjykata e Larta nuk ka vend më për hetim. Daci e kundërshtoi procedimin disiplinor dhe e cilësoi dënimin e tij si politik.

Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA

Komisioni Disiplinor i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA vendosi të martën të mbyllë shqyrtimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit Luan Daci, pasi gjyqtari hetues Ardian Hajdari paraqiti raportin përfundimtar dhe kërkoi shkarkimin e kolegut të tij.

Daci e kundërshtoi raportin dhe e cilësoi ‘nul’ procedimin disiplinor të nisur ndaj tij.

Procedimi disiplinor ndaj Dacit filloi me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, pas dënimit të Dacit me vendim të formës së prerë për falsifikim të dokumenteve në muajin mars, pasi gjatë aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut nuk deklaroi shkarkimin nga detyra në vitin 1997.

Për rreth dy orë e gjysmë, Komisioni Disiplinor i kryesuar nga Natasha Mulaj dhe me anëtare gjyqtaret Albana Shtylla dhe Ina Rama dëgjuan parashtrimet e palëve. Gjyqtari hetues, Ardian Hajdari paraqiti fillimisht një historik të fillimit dhe ecurisë së procedimit disiplinor, nga kërkesa e ONM për fillimin e hetimit disiplinor; pezullimin e procedimit prej tij në muajin korrik për të pritur vendimarrjen e Gjykatës së Lartë; rifillimin e hetimeve pas mospranimit të rekursit dhe seancat dëgjimore të zhvilluara me Dacin.

Hajdari tha se procedimi disiplinor është bazuar në pikën 2, gërma (b) e Nenit 128 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet përgjegjësia disiplinore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë nen parashikohet se “2.Procesi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij kur: […] b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.”

Sipas Hajdarit, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për mospranimin e rekursit të anëtarit të KPA Luan Daci, tashmë ka një vendim përfundimtar për një krim të kryer prej tij dhe se janë shteruar ankimet. “Nuk ka më vend për hetime të mëtejshme pas vendimit të Gjykatës së Lartë”, argumentoi Hajdari.

Ai vijoi se kishte hartuar raportin përfundimtar të hetimit dhe i kërkoi Komisionit Disiplinor të shqyrtojë këtë raport dhe të disponojë me shkarkimin nga detyra të Luan Dacit.

Megjithëse në fillim të fjalës së tij gjyqtari Luan Daci kërkoi t’i jepej mundësia të bënte dy pyetje për gjyqtarin hetues, ai u ndal gjatë në vendimin penal të dhënë ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e të dy shkallëve dhe e konfirmuar prej Gjykatës së Lartë, duke përsëritur herë pas here të njëjtat argumente dhe bazë ligjore.

“Në raport nuk dëgjova asnjë koment të kundërshtimeve të mia. Si ka mundësi që nuk ka asnjë gërmë të pretendimeve të mia që janë dorëzuar në 23 faqe,” u ankua Daci dhe këmbënguli se nuk mund të dënohet askush pa procedurë.

Ai e cilësoi të gabuar kërkimin e shkarkimit të tij bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe u shpreh se “Kushtetuta” e Kolegjit është aneksi kushtetues.

“Legjislatori ka qenë merakçi i madh dhe ka përcaktuar që të mos dënohemi pa ligj ashtu si u dënova unë,” pohoi Daci, duke pretenduar se shkarkimi i anëtarit të KPA nuk parashikohej as në aneksin e Kushtetutës dhe as në ligj.

Daci u ankua gjithashtu për vendimin e gjykatës.

“Atë të drejtë që ma jepte ligji, ata e quajtën shkelje ligji. Më dënuan pa fakt penal dhe pa vepër penale duke shpikur falsifikimin intelektual që nuk e ka ligji,” argumentoi Daci dhe theksoi se gjëja më e rëndë është që të futet në burg një i pafajshëm.

Kryesuesja e Komisionit Disiplinor, Natasha Mulaj vërejti se dënimi penal nuk është në jurispudencën e KPA-së, por megjithëse Daci tha se do të tërhiqej, u rikthye disa herë tek dënimi i dhënë ndaj tij për falsifikim, duke e cilësuar edhe si politik. Daci theksoi se do ta ndiqte çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe se të gjithë ata që e kishin përndjekur për 18 muaj “nuk do ta kalojnë thjeshtë”.

Në vijim, ai i drejtoi pyetje gjyqtarit hetues, se cilën prej shkeljeve disiplinore të parashikuara në nenin 16 të ligjit për vetingun e magjistratëve kishte konsumuar. Sipas Dacit, ai nuk mund të

gjykohet sipas nenit 128 të Kushtetutës, pasi edhe nëse do të kishte ndodhur kjo duhej të kryhej nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga KPA.

Daci u ankua gjithashtu se i ishte hequr makina dhe rojet e shërbimit me urdhër.

“Nuk e kam problem se jam mësuar të eci në këmbë. Por këtu diskutohet dinjiteti im dhe nuk lejoj të ma marrin persona injorantë. Duhet të jemi objektivë dhe duhet të japim drejtësi objektive,” tha ai.

Ai e cilësoi të gabuar adresimin e ONM-së për fillimin e hetimit disiplinor bazuar në nenin 128 të Kushtetutës. Ai këmbënguli gjithashtu se nuk kishte bërë shkelje disiplinore dhe kërkoi drejtësi të bazuar në ligj.

Në fund të fjalës së tij, gjyqtari Luan Daci kërkoi që të mos jepet asnjë masë disiplinore ndaj tij me pretendimin se nuk ka asnjë shkak ligjor.

Pasi mbylli shqyrtimin gjyqësor, Komisioni Disiplinor njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 9 dhjetor, ora 09:30.

 

 

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *