Kosova dhe Shqipëria dënojnë “sulmet terroriste” kundër Izraelit

0
Shpërndaje lajmin

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se i dënon fuqishëm “sulmet terroriste kundër Izrealit”, ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin izraelit, përcjell albinfo.ch.
“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Izraelin në këto momente të tmerrshme. Mendimet tona janë me viktimat, familjet dhe të gjithë Izraelin”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
“Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me presidentin Isaac Herzog, popullin dhe shtetin e Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”, ka shkruar Osmani në X.
22 izraelitë kanë vdekur dhe mbi 500 kanë mbetur të lënduar nga sulmi befasues i palestinezëve mëngjesin e së shtunës, kanë konfirmuar shërbimet e emergjencës së Izraelit.
Izraeli shpalli gjendje lufte të shtunën pas një sulmi që u vlerësua si i paprecedentë nga grupi militant palestinez Hamas.
Dhjetëra persona të armatosur nga grupi militant palestinez Hamas janë infiltruar në jug të Izraelit nga Rripi i Gazës.
Edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka dënuar ashpër në emër të Shqipërisë sulmin e përgjakshëm të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit, ku mijëra raketa janë lëshuar në zonat jugore, një numër i pacaktuar personazh kanë mbetur të vrarë dhe 35 shtetas izraelitë janë raportuar të marrë peng.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin e mëngjesit të sotëm nga Hamasi kundër Izraelit. Ne qëndrojmë të vendosur kundër terrorizmit. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, shkruan kryediplomati shqiptar.
Nga ana tjetër, prej MEPJ-së është bërë me dije se nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar nga ngjarjet.
 
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *