Kosova dhe thirrjet për ndihmë

Share

Shkruan Enver Robelli

🟥 U vodhën së fundi mbi dy milionë euro nga arka e shtetit dhe çfarë thonë pushtetarët? Ta thërrasim Guardia di Finanza, policinë financiare italiane. E përse ka Kosova polici dhe hetuesi?

🟥 Vdiq në rrethana ende të paqarta drejtori i Agjencisë së Privatizimeve D. Asanaj (disa thonë “u vetëvra”, të tjerët “e vranë”) dhe për të ndriçuar këtë rast u kërkua ndihmë nga FBI. E përse ka Kosova polici dhe hetuesi?

🟥 Vdiq ndërsa ishte në duar të shtetit (në burg) aktivisti i VV-së A. Dehari. Versionit zyrtar se ai vrau veten pakkush i beson. Rasti ka mbetur i pandriçuar. Në hetime është kyçur një institut zviceran. Edhe në këtë rast sistemi policor, hetimor dhe gjyqësor i Kosovës është treguar i paaftë.

🟥 Brenda pak muajsh në afërsi të Prishtinës dhe në periferi të Pejës u vranë dy persona. Për këtë të Prishtinës familja tha se ishte kontaktuar nga Gjykata Speciale si dëshmitar i mundshëm. Rasti i Pejës po mbetet tërësisht enigmatik, madje viktima është varrosur pa arritur t’i bëhet analiza e ADN-së. Viktima ka qenë pjesëtar i hershëm i UÇK-së dhe potencialisht njeri me informata. Ku janë institucionet e Kosovës që nuk arrijnë të ndriçojnë këto raste?

🟥 Kurrë nuk u sqarua se si ndodhi të vidhet Dhoma e Dëshmive e Policisë së Kosovës.

🟥 Kurrë nuk u sqaruan dhjetëra vrasje, mes tyre kryearkitekti i Prishtinës, kryetarë komunash, publicistë, aktivistë politikë. Nesër, 23 nëntor, është përvjetori i vrasjes së Xhemail Mustafës. Do të kujtohet në mënyrë rutinore (fatkeqësisht) dhe policia, hetuesia e gjyqësia do të heshtin, siç kanë heshtur nga 23 nëntori i vitit 2000.

🟥 Pastaj ka njerëz që habiten që bashkësia ndërkombëtare nuk po e përqafon më Kosovën si dikur. Një shoqëri që 20 vjet flet për vrasje politike dhe nuk e sqaron gati asnjë, nuk duhet të befasohet që trajtohet me përçmim nga protektorët e saj.

The post Kosova dhe thirrjet për ndihmë appeared first on Media .


Share

Komente