Kosova e tejmbushur me monedha 2 euro false

0
Shpërndaje lajmin

Në një kafene në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, stafi ka hequr dorë nga kontrolli nëse monedhat prej 2 eurove që njerëzit i përdorin për pagesë, janë origjinale, pasi një përqindje tepër e lartë e këtyre monedhave janë false dhe cilësia e lartë e disa falsifikimeve e bën pothuajse të pamundur të dallohen.
“Në fillim të gjithë ishin të shqetësuar dhe kontrollonin nëse monedhat 2 euro ishin false apo jo”, thotë kamerieri me emrin Endrit.
Ai dhe kolegët e tij i drejtonin monedhat në drejtim të dritës për t’i ekzaminuar apo edhe i hidhnin mbi ndonjë tavolinë për të parë se çfarë tingulli lëshonin kur përplaseshin me tavolinën.
“Tani nuk i kontrollojmë më, mund të marrim para false ose ndoshta të japim para false. Është e njëjta gjë.”
Numri i monedhave false 2 euroshe në qarkullim ka shënuar një rritje masive këtë vit, sipas agjencive ligjzbatuese.
Kosova dhe Mali i Zi fqinj nuk janë pjesë e Eurozonës por megjithatë e përdorin euron si monedhë të tyre.
Në një dyqan të vogël afër kafenesë në Prishtinë, me 11 monedha 2 euroshe në arkë, shitësja thotë se beson se gjashtë prej këtyre monedhave 2 euroshe janë false dhe se aq shumë në qarkullim janë false sa që ajo nuk ka zgjidhje tjetër veçse t’i pranojë ato.
Në laboratorin e mjekësisë ligjore të Policisë së Prishtinës, stafi ka ekzaminuar më shumë se 30,000 monedha të falsifikuara 2-euroshe në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me 4,451 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Cilësia varion nga shumë e dobët në shumë e mirë,” thotë Vjollca Mavriqi, eksperte për paratë e falsifikuara në laborator.
“Më parë, monedhat false nuk ishin magnetike dhe tani janë, më parë kishin probleme me peshën, por tani përputhen me ato origjinale”.
Sipas policisë kosovare, vitin e kaluar kanë dërguar 804 raste te prokurorët në lidhje me falsifikimin e parave dhe 486 deri më tani këtë vit. Në prill ata arrestuan një burrë dhe një grua duke u përpjekur të sillnin 10,600 monedha false 2 euroshe në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.
Shumë video në gjuhën shqipe në rrjetet sociale ofrojnë oferta për monedha false ose kartëmonedha të tjera euro të cilat shiten për 10%-20% të vlerës së tyre nominale.
Menaxheri i një kompanie shtetërore të parkingut në Prishtinë, Sokol Havolli, tha se ai po merr aq shumë monedha false 2 euroshe, deri në 150 euro në ditë, sa që refuzoi ta pranonte fare këtë monedhë. Tani atij i janë dhënë makineri të mëdha, të dhuruara nga bankat lokale, për t’i identifikuar monedhat false.
Banka Qendrore e Kosovës i tha Reuters përmes e-mailit se bankat dhe institucionet e tjera financiare duhet t’i raportojnë të gjitha paratë e falsifikuara të dorëzuara nga klientët.
Mirëpo, për një menaxher supermarketi në Prishtinë, i cili nuk pranoi të identifikohet dhe që duhet t’i depozitojë të ardhurat e tij ditore në bankë, është më e lehtë t’i kalojë monedhat 2 euro te klientët e tjerë në vend që të rrezikojë ndjekjen penale duke i çuar ato në një bankë.
LEXONI GJITHASHTU:

Veterani i UÇK-së: Rusia dhe Serbia duan të destabilizojnë Kosovën me këto sulme
Gjashtë të dyshuarit për sulmin në Veri dërgohen në mbajtje 48 orë, akuzat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *