April 16, 2021

Kosova falënderon Shqipërinë për vaksinimin e stafit të saj mjekësor

Shpërndaje lajmin

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

Qindra mjekë dhe infermierë nga Kosova – e cila nuk ka marrë ende vaksina kundër COVID-19 – e morën dozën e tyre të parë të vaksinës në Shqipërinë fqinjë gjatë fundjavës, duke bërë që zyrtarët e Kosovës të vlerësojnë bujarinë e Shqipërisë.

Një punonjëse e fushatës shqiptare të vaksinimit duke administruar një flakon të vaksinës AstraZeneca. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Pesëqind personel mjekësor nga Kosova morën vaksinat për COVID-19 gjatë fundjavës në qytetin verior të Kukësit, në kufi me Kosovën.

Presidenti i Federatës Sindikale të Shëndetësisë të Kosovës, Blerim Syla, vlerësoi bujarinë e Shqipërisë në qendrën e vaksinimit në Kukës të shtunën.

“Më lejoni nga zemra dhe shpirti të shpreh mirënjohjen time për kryeministrin Edi Rama dhe gjithë popullin shqiptar që sot më në fund filluam vaksinimin e punonjësve shëndetësorë të Kosovës – i vetmi vend që nuk ka marrë ende asnjë vaksinë”, tha Syla.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, falënderoi gjithashtu Shqipërinë për vaksinimin e stafit shëndetësor të vendit të tij në një letër.

“Sot, në ditën e dytë, do të vazhdojë vaksinimi i personelit mjekësor të vijës së parë”, shkroi në Facebook ministrja e shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, të dielën.

Procesi i vaksinimit të 500 mjekëve dhe infermierëve të Kosovës me vaksinën AstraZeneca filloi në Kukës të shtunën.

Shqipëria u furnizua me 38,400 doza AstraZeneca në mars dhe ka vendosur të ndajë disa prej tyre me Kosovën.

“Ju thashë që në fillim ejani në Kukës”, tha kryeministri Rama. “Në fund të fundit … përtej faktit që ne jemi dy shtete dhe kemi një kufi, është mjaft e thjeshtë dhe e natyrshme që Kukësi të funksionojë si një bazë e përbashkët”, shtoi ai.

Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha për televizionin publik të Kosovës RTK më 19 mars, se një javë më parë një studim tregoi se sa të etur ishin mjekët e Kosovës për të marrë vaksinën. Sondazhi tregoi se “94.3 për qind e mjekëve ishin në favor të vaksinimit dhe kjo tregon interesin e tyre”, tha ai.

Kosova ende nuk ka marrë ndonjë dozë vaksinash për COVID-19. Zemaj më herët pretendoi se disa doza për Kosovën do të mbërrinin më 17 mars.

Shqipëria dhe Kosova nuk janë vendet e vetme në Ballkan që po bashkëpunojnë për vaksinat. Rreth 100 punonjës të medias nga Maqedonia e Veriut do të vaksinohen në Serbi, ka raportuar Shoqata Maqedonase e Gazetarëve, MAN.

“Në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Serbisë, UNS, do të sigurohen vaksina AstraZeneca për 100 punëtorë të medias përmes zyrës së presidentit të Serbisë”, njoftoi ajo.

Data e vaksinimit është caktuar për më 23 mars në qytetin jugor serb të Vranje dhe MAN do të organizojë gjithashtu transportin me autobus për gazetarët maqedonas.

Punonjësit e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës u vaksinuan gjithashtu në Serbi më 15 mars, konfirmoi gjykata në Sarajevë.

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative. Xhorxhina Bami


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *