Kosova rifillion takimet për raundin e parë të negociatave lidhur nënshkrimin e marrëveshjes EFTA

Shpërndaje lajmin

Ministria e Industrise, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka njoftuar se dje së bashku me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), kanë mbajtur takim virtual me pikën e kontaktit nga Sekretariati i EFTA-s dhe Drejtoreshën e Divizionit për Marrëdhënie Tregtare në kuadër të EFTA-s.
Sipas MINT qëllimi i këtij takimi ishte “koordinimi i palëve në lidhje me finalizimin e dokumentit të modalitetit të negociatave dhe koordinimi i agjendave për datat potenciale për fillimin e negociatave”, derisa janë dakorduar se raundi i parë i negociatave të fillojë potencialisht në muajin qershor apo më së largu në fund të muajit gusht 2022, njofton MINT, përcjell Albinfo.ch.
Tutje, Ministria ka theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshje duke iu referuar tregtisë me vendet e EFTA-s, e posaçërisht me Zvicrën.
Albinfo.ch, ju përcjell disa informacione me rëndësi lidhur me EFTA-n dhe tregtinë e Kosovës me shtetet e saj.
Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë e njohur si EFTA, është organizatë ndërqeveritare e Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës. Ajo u krijua në vitin 1960 dhe për qëllim kishte promovimin e tregtisë së lirë dhe integrimit ekonomik ndërmjet anëtarëve të saj të atëhershëm, që ishin Austria, Danimarka, Norvegjia, Portugalia, Suedia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar.
EFTA është tregtari i nëntë më i madh në botë në tregtinë e mallrave dhe i pesti më i madhi në tregtinë e shërbimeve. Është partneri i tretë më i rëndësishëm tregtar në mallra për BE-në dhe i dyti më i rëndësishëm kur bëhet fjalë për shërbimet. Ndërsa, buxheti vjetor i EFTA-s përgatitet në dy monedha: franga zvicerane (CHF) dhe euro (EUR).
Sipas ASK-së, shteti i EFTA-s me të cilin ka më së shumti tregti Kosova është ai i Zvicrës, me eksport prej 50.8 milionë euro gjatë vitit 2021 dhe import prej 30.72 milionë euro gjatë po të njejtit vit. Ndërsa, në Norvegji, Kosova ka eksportuar afër 1 milion euro dhe nga ta ka importuar rreth 4.5 milionë euro gjatë vitit 2021. Tregtia me Islandën gjatë të njejtit vit ka arritë në 233 mijë euro eksport dhe 27.63 milionë euro import.
Derisa, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shteti i EFTA-s me të cilin vendi ynë ka më së paku eksport është Lihtenshtajni në vlerë prej 5 mijë e 623 euro gjatë vitit 2021, dhe import rreth 344 mijë euro./Albinfo.ch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *