Kosovë: 90 milionë euro barna u importuan gjatë 2020-ës

Share

thumbnail barnat 280x280 1

Pesëdhjetë e shtatë barnatore farmaceutike janë hapur që nga fillimi i pandemisë në Kosovë. Ndërkohë, pesë prej tyre janë mbyllur gjatë kësaj periudhe.

Gjatë vitit pandemik, në Kosovë ka pasur rritje të importit të barnave farmaceutike dhe produkteve dezinfektuese.

Rreth 90 milionë euro ka qenë vlera e importit të barnave mjekësore gjatë vitit 2020. Importi i këtyre produkteve ka shënuar rritje në krahasim me vitin 2019, e po ashtu rritje të importit ka pasur edhe për produkte dezinfektuese.

Viti 2020, i njohur edhe si viti pandemik, ka shtuar konsumin e barnave, ndërkohë që ka pasur edhe shumë hapje të barnatoreve të reja farmaceutike, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Arsyeja kryesore e kësaj rritjeje lidhet me situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19, ku përhapja masive e virusit që nga marsi i vitit të kaluar, e që po vijon, ka nxitur përdorimin e më shumë barnave.

Zyra për Informim e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në një përgjigje për KosovaPress, tregon se sa barnatore janë hapur që nga fillimi i përhapjes së pandemisë në Kosovë. Por, në të njëjtën përgjigje, pavarësisht interesimit, nuk është treguar edhe sa kompani farmaceutike janë hapur gjatë kësaj periudhe.

“Prej marsit 2020 deri më tani janë hapur 57 barnatore farmaceutike. Në të njëjtën kohë janë shuar 5 barnatore farmaceutike”, thuhet në këtë përgjigje.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Të njëjtit për disa javë rresht nuk kanë kthyer përgjigje.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se gjatë vitit 2020 ka pasur një rritje të importit të këtyre produkteve medicinale, por jo edhe në fillim të pandemisë.

“Ne kemi arritur, është importuar nga Kosova rreth 1.1 milion euro vlerë të produkteve dezinfektuese. Kemi pasur rreth 3 milionë euro të dorezave medicinale, gjithashtu maskat kanë kaluar mbi 3 milionë euro vlerë të importit vjetor. Që nuk ka qenë në krahasim me vitet e kaluara. Normalisht që ka edhe import viteve të kaluara, por nuk kanë qenë në këto sasi”, thotë Stavileci.

Rritje të importit ka pasur edhe për produkte të tjera farmaceutike, në veçanti barnat. Stavileci tregon se gjatë vitit 2020, ka pasur rritje për 16 milionë euro, krahasuar me vitin paraprak.

“Ndërsa produktet farmaceutike, barnat edhe te ato kemi një rritje prej 16 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak. Nëse krahasohet viti 2020 me vitin 2019, vërejmë që totali i produkteve të barnave ka qenë 86 milionë. Ndërsa, në vitin 2019 kemi pasur 70 milionë, që ka qenë mesatarja normale e importit të medikamenteve brenda një viti. Për shkak të pandemisë janë rrit importit e disa lloje të medikamenteve dhe kryesisht janë rritur edhe të vitaminave të ndryshme të cilat tregtohen në barnatoret e Kosovës”, shton ai.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se trendi i importit të këtyre produkteve ka vijuar edhe në këtë fillim vit, por thekson se ka pasur ulje të lehtë të importit të dezinfektuesve, maskave dhe dorezave.

Kërkesa më e lartë për konsum ka qenë për antibiotikë, edhe për vitamina. Krahas vitaminës C, kërkesë të lartë ka edhe për vitaminën D të rekomanduara për personat e infektuar me Covid-19.

 


Share

Komente