October 23, 2021

Kosovë: Mbi 900 personave u është njohur statusi i viktimës seksuale, 35 prej tyre burra

Shpërndaje lajmin

Nga numri i përgjithshëm, gjithsejt një mijë e 290 raste të trajtuara nga Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, 35 prej tyre janë raste të burrave të cilëve u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale.

Kështu ka treguar Kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj, sipas të cilës numri i aplikimeve ka arritur mbi një mijë e 400.

“Kemi numër total të 1463 aplikimeve. Për këtë vit, kemi 70 aplikacione. Prej tyre, të trajtuara deri më tani, u kemi njohur statusin 943 rasteve. Komisioni përfundimisht i ka trajtuar 1290 raste. Brenda këtij numri kemi edhe prej tyre të refuzuara, prej tyre 35 raste burrave u kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale”, ka deklaruar ajo në një intervistë për KosovaPress, transmeton Albinfo.ch.

Trajtimin e këtyre rasteve, Begaj e ka konsideruar si të vështirë për shkak mos posedimit të dokumentacionit të kërkuar nga komisioni.

“Pavarësisht që disa nuk kanë mundur të paraqiten ose të paraqesin ngjarjen traumatike apo përshkrimin e atij narracioni, shumica prej arsyeve që ne i dimë, për shkak të mentalitetit, për shkak të rrethanave, stigmën në familje që nuk i kanë ruajtur dokumentet mjekësore. Qoftë edhe juridike apo një dokument që ka mund ta ketë në atë kohë”, është shprehur ajo.

Sipas saj, kalimi i dy dekadave me radhë është problem në vete për shqyrtimin e rasteve.

“Ta kemi parasysh që është shumë me rëndësi që afati i ndodhjes apo i gjendjes traumatike dhe i shqyrtimit është goxha i lartë, dhe kthimi pas 20 viteve është problem edhe për të mbijetuarit”, ka theksuar Begaj.

Po ashtu, ajo ka potencuar se ka pasur raste të cilat janë trajtuar edhe për të gjashtën herë, me qëllim që të mos arrihet deri të refuzimi.

“Mbi 50 për qind të lëndëve ndoshta pesë herë, gjashtë herë, i kemi trajtuar. Me të vetmin qëllim që mos të shkohet në përfundim të një refuzimi. Por në rrethana të caktuara gjithë atë proces që ne e kemi ndjekur, vjen deri në përfundim që me të vërtetë për një rast të caktuar ne e refuzojmë sepse komisioni nuk ka arritur të bindet me gjithë atë procesin administrativ që e kemi ndjekur”, ka deklaruar Begaj.

Megjithatë, kanë mbetur edhe dy vjet deri në mbylljen e afatit për parashtrimin e kërkesave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale.

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, zyrtarisht punën e ka filluar në shkurt të vitit 2018.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *