Kosovë: Ministria e Financave dhe Termokosi, marrëveshje 80 milionë euroshe për ngrohtoren solare

0
Shpërndaje lajmin

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Termokos, Fisnik Osmani, kanë nënshkruar sot tri marrëveshje për ndërtimin e ngrohtores diellore në Prishtinë, teksa sipas njoftimit nga ministria, në ceremoninë e nënshkrimit ishin prezent edhe ambasadori gjerman në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
“Ndërtimi i ngrohtores diellore, e cila do t’u shërbejë qytetarëve të Prishtinës, është bërë e mundur përmes marrëveshjes me BERZH me vlerë 23.2 milionë euro, nga KfW 31.6 milionë euro, nga BE grant 21.5 milionë euro dhe Kontributi nga Qeveria 4.4 milionë euro. Ky projekt parasheh ndërtimin e nje impianti të ngrohjes solare në Prishtinë, ku përmes saj do të zgjerohen kapacitetet e prodhimit të energjisë termike të Termokosit deri në 50 MW. Pra, 38 mijë qytetarë që aktualisht nuk janë pjesë e rrjetit të ngrohjes, do të fillojnë të kenë qasje në shërbimet e Termokosit pas përfundimit të projektit”, thuhet në komunikatë.
Ministri Murati ka deklaruar se “ngrohtorja, e cila do të ndërtohet, është investimi më i madh në rajon sa i përket prodhimit të energjisë termike nga energjia diellore. Ky projekt mundëson që më shumë qytetarë të kenë ngrohje në shtëpitë e tyre me çmim më të volitshëm dhe në të njëjtën kohë ndikon në përmirësimin e cilësisë së ajrit”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka falënderuar Muratin për bashkëpunimin e deritanishëm, duke thënë se “ngrohtorja diellore e qytetit ofron kapacitet të shtuar të ngrohjes dhe se ndërtimi i ngrohtores bëhet pikërisht në një kohë vendimtare për tranzicionin e gjelbër energjetik në Kosovë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *