Kosovë: Pas rritjes së rasteve me COVID-19, në zonën e kuqe shtohen edhe tetë komuna

Share

96418869 869805393519346 8001834761792258048 o

Ministria e Shëndetësisë, ka bërë sërish kategorizimin e komunave varësisht rritjes së rasteve me COVID-19.

Në zonën e kuqe ( me rrezik të lartë ) kanë qenë dhjetë komuna, ndërsa sonte MSH ka futur në këtë zonë edhe tetë komuna tjera të cilat janë: Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica.

Më herët në zonën e kuqe kanë qenë: Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Peja, Gjakova, Ferizaj, Shtime, Gjilan, Mitrovicë e Jugut.

Për zonën e kuqe këto janë masat:

– Ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive/banesave të tyre pas orës 19:00 e deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelit shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme;

-Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 19:00 deri në orën 05:00, përveç:

– Personelit shëndetësor, personelit të sigurisë, drejtësisë dhe studentëve;

-Qytetarëve për nevoja emergjente;

-Operatorëve që kryejnë punë publike;

– Ndalohet veprimtaria e gastronomisë nga ora 19:00 deri në orën 05:00;

-Institucionet publike dhe private punojnë vetëm me stafin esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

-Transporti publik lejohet të punojë me 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

-Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes;

-Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;

-Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”;

– Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”. 

The post Kosovë: Pas rritjes së rasteve me COVID-19, në zonën e kuqe shtohen edhe tetë komuna appeared first on Albinfo.


Share

Komente