Kosovë: Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri

0
Shpërndaje lajmin

Ka përfunduar nënshkrimi i peticioneve, i cili do të hapte rrugën për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në veri të Kosovës, teksa lajmi është konfirmuar nga përfaqësues të grupeve, të cilat e kanë iniciuar këtë proces, transmeton albinfo.ch.
Darko Vuksanoviq, nga grupi për Zveçanin, ka konfirmuar për REL-in se gjatë ditës së parë (e premte, 19 janar) është mbledhur numër i mjaftueshëm i nënshkrimeve. Në komunën e Zubin Potokut, ku nënshkrimi është kryer gjatë periudhës 19-22 janar, janë mbledhur mjaft nënshkrime, ka konfirmuar Sërgjan Vuçiniq, njëri nga iniciatorët.
Paraprakisht, edhe Sanja Kërtiniq, nga grupi iniciator në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se procesi i mbledhjes së nënshkrimeve ka përfunduar. Të shtunën, më 20 janar, janë mbledhur nënshkrime të mjaftueshme edhe në komunën e Leposaviqit.
Nuk është specifikuar sa qytetarë kanë nënshkruar, duke thënë vetëm se janë mbledhur më shumë nënshkrime se minimumi i kërkuar.
Në komunën e Mitrovicës së Veriut, peticionin është dashur ta nënshkruajnë së paku 3.640 votues me të drejtë vote, në Leposaviq 2.689 votues, në Zveçan 1.411 votues dhe në Zubin Potok 1.347 votues, shifra që përbëjnë 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në këto komuna.
Hapi i radhës tani është që peticionet e votuesve të regjistruar t’u dorëzohen kryetarëve të kuvendeve komunale.
Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tri ditë kohë për t’ia përcjellë atë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikim.
Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *