Kosovë: Produktet vendore më të shtrenjta se ato që importohen

0
Shpërndaje lajmin

Raportohet se produktet e prodhuara në Kosovë në disa raste çmimet i kanë më të larta se ato të importit në tregun kosovar. Prodhuesit vendorë nuk po i bëjnë ballë konkurrencës së padrejtë në treg. Për këtë, prodhuesit kritikojnë tregtarët se po ndikojnë me marzhën e fitimit të tyre, përcjell albinfo.ch.
Klubi i Prodhuesve fajëson tregtarët, ndërkaq Oda Ekonomike e Kosovës fton institucionet përgjegjëse të bëjnë një analizë në treg për të parandaluar këtë fenomen. Megjithatë, për një nga prodhuesit vendor në vend, është e papranueshme që çmimi i produkteve vendore të jetë më i lartë se ai i importuar.
Kryetari i Klubit të Prodhuesve, Berat Mustafa, ka akuzuar tregtarët, të cilët, sipas tij, po vendosin njëanshëm marzhën e fitimit, shkruan koha.net.
“Analizat që i bëjmë ne si prodhues, asnjëherë prodhuesit vendorë nuk i kanë të ngritura çmimet. Çdoherë çmimet e prodhuesve vendorë janë më konkurrues se prodhimet që vijnë nga importi… Rrjeti i marketeve në shitje, për shkak se ata i kanë marzhën, kostot më të larta, hapësira e madhe, numri i madh i punëtoreve, qiratë e ndryshme dhe ata janë të detyruar t’i rrisin çmimet më lartë, ndryshe prodhuesit janë konkurrues. Sepse, po mos të ishim konkurrues nuk mund të ia dilnim si prodhues me këtë prodhim të vogël që e kemi”, tha Mustafa.
Pronari i njërës prej bizneseve vendore në Kosovë, Shaqir Palushi, thotë se kurrsesi nuk bën që një produkt i prodhuar në vend të jetë më i lartë me çmim sesa ai i importuar.
“Një prej faktorëve që ndodh kjo është se prodhuesit vendorë, një pjesë e tyre janë prodhues të vegjël dhe kostoja e produkteve është shumë më e lartë se e atyre të kompanive që janë korporata ndërkombëtare dhe kanë një treg dhe prodhim të konsoliduar, por kjo nuk e arsyeton, sepse konsumatorit nuk i intereson nëse je prodhues i madh apo i vogël, atij i intereson çmimi të jetë konkurrues. Në asnjë mënyrë nuk bën që një produkt i prodhuar në vend të jetë më i lartë me çmim sesa ai i një kompanie, aq me tepër nëse është fjala për kompani që janë me renome dhe me produkte dhe cilësi të dëshmuara”, tha Palushi.
Mes tjerash, Palushi kërkon më shumë kontrolle nga ana e inspektorëve në treg, pasi sipas tij ka raste kur keqpërdoret edhe çmimi dhe marzha normale nga ana e tregtarëve.
“Ka raste kur keqpërdoret edhe çmimi dhe marzha normale nga ana e tregtarëve dhe besoj se kjo duhet të ketë më shumë kontroll nga ana e Inspektoratit të tregut në mënyrë që të mos abuzohet, sidomos në këtë kohë krize ku është prekur xhepi i konsumatorëve”, tha Palushi.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke kërkuar nga qeveria mbështetje për kompanitë vendore, ai ka ftuar institucionet përkatëse të bëjnë një analizë në treg për të ndikuar në uljen e çmimeve të produkteve.
“Institucionet duhet të bëjnë një analizë dhe të shohin se ku dhe si munden të kontribuojnë në mënyrë që me ndërmarr një veprim të politikes fiskale, qoftë për ulje të ndonjë tatimi, këtë rast TVSh-së në lëndë të parë, aty ku është e implementueshme ose të shihet edhe mundësia tjetër e ndonjë subvencionimi të normave të interesit të kredisë për prodhuesit, jo vetëm për eksporte por edhe për prodhime që prodhohen për tregun tonë me qëllim që ai produkt t’i bëjë ballë konkurrencës së produktit të importuar, për arsye se ai produkt që vjen nga rajoni ai subvencionohet në forma të ndryshme nga vendi ku prodhohet”, tha Rafuna.
Produktet vendore mbesin nën “hijen” e produkteve të importuara. Konsumimi i produkteve, “Made in Kosova”, në tregun vendor, me gjithë faktin që ka shënuar rritje viteve të fundit, vazhdon të mbetet i ulët.
Mustafa nga Klubi i Prodhuesve ka ftuar qeverinë që të përkushtohet më shumë për zhvillim ekonomik të vendit.
“Kjo mbetet në duar të qeverisë, ku ne ftojmë që të kemi takime sy më sy me qeverinë dhe t’i diskutojmë të gjitha problemet, sepse tashmë gjendja me Marrëveshjen e Ohrit përfundon, dhe duhet të kalojmë në sferën ekonomike dhe t’i përkushtohemi zhvillimit ekonomik të vendit, kryesisht me fokus bujqësinë dhe prodhimtarinë, si forca të vetme të zhvillimit ekonomik të vendit”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *