April 19, 2021

KPA: Gjyqtarit Agim Bendo i mbaroi statusi i magjistratit për shkak të dorëheqjes

Shpërndaje lajmin

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e quan të pabazuar pretendimin e ish-gjyqtarit të Apelit Tiranë, Agim Bendo se penalizimi i Komisionit që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë është i padrejtë, pasi u dorëhoq për shkak të daljes në pension pleqërie.

Kryetarja e Kolegjit te Posaçëm të Apelimit, KPA, Natasha Mulaj, relatorja, Rezarta Schuetz dhe anetarët, Sokol Çomo, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, gjatë një seance te KPA, | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e ka rrëzuar shkakun e ankimit të ish-gjyqtarit të Apelit Tiranë, Agim Bendo ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, i cili pretendonte se sanksioni që i heq të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15-viteve të ardhshme, nuk është i bazuar.

Agim Bendo e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1992 dhe përgjatë dy dekadave të fundit ka punuar si gjyqtar në shkallë të parë dhe në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në shtator 2013, Bendo ishte pjesë e trupës gjykuese që dha vendimin e diskutueshëm për çështjen e 21 Janarit, duke dënuar me vetëm 1 vit burg ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi dhe me 3 vjet gardistin Agim Llupo për vrasjen e 4 protestuesve përballë Kryeministrisë.

I renditur si një ndër pesë gjyqtarët më të pasur të Apelit të Tiranës nga një studim i zhvilluar në vitin 2014 nga BIRN, Bendo u dorëhoq ndërsa ndodhej prej një viti nën hetimin administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që vendosi të ndërpresë procesin e vetingut dhe ti heqë të drejtën për të mbajtur një pozicion në sistemin e drejtësisë gjatë 15-viteve të ardhshme.

Bendo pretendon në ankimin e tij se, pjesa arsyetuese e vendimit të KPK nuk është e plotë dhe nuk pasqyron tërësisht realitetin e fakteve dhe provave. Sipas tij, shkaku i vërtet i dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit ka qenë dalja në pension pleqërie, më datë 6 shtator 2019.

Kolegji vëren se Komisioni nuk i ka dhënë të drejtën Bendos për t’u dëgjuar dhe, për të korrigjuar këtë situatë, edhe pse subjekti nuk e ka ngritur si shkak në ankim, trupi gjykues i KPA ka marrë vendim të ndërmjetëm më 10 dhjetor 2020 që ta kalojë shqyrtimin e çështjes në seancë publike.

Në vendim thuhet se Bendo nuk ka qenë i pranishëm në gjykim, por parashtrimet e tij janë paraqitur në formë verbale nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, i cili ka theksuar se shkaku i dorëheqjes së subjektit ka qenë dalja në pension pleqërie.

Kolegji vëren se ndaj Bendos ka filluar hetimi administrativ për procesin e rivlerësimit më datë 3 tetor 2018, ndërkohë që subjekti rezulton të ketë bërë një sërë kërkesash pranë Komisionit, me qëllim shtyrjen e afatit për kthimin e përgjigjeve të pyetësorit, duke u justifikuar me gjendjen jo të mirë shëndetësore dhe paaftësinë e përkohshme në punë.

Më datë 4 shtator 2019, Bendo i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj me kërkesë për deklarimin e mbarimit të statusit të gjyqtarit për shkak të dhënies së dorëheqjes nga ana e tij nga detyra. Pas dy muajsh, KLGj ka vendosur të pranojë kërkesën e subjektit duke deklaruar mbarimin e statusit të magjistratit për të, për shkak të dorëheqjes. Komisioni ka administruar këtë vendim të KLGj-së, si dhe konfirmimin nga Gjykata Administrative e Apelit, se ish-gjyqtari Bendo nuk kishte ushtruar ankim.

Pas dorëzimit në KLGj të dorëheqjes nga detyra dhe të kërkesës për mbarimin e statusit të magjistratit, Bendo i është drejtuar KPK me një kërkesë për pushimin e procesit të vetingut, përshkak të paraqitjes nga ana e tij të aktit me shkrim “të dorëheqjes së parevokueshme nga detyra”.

Bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, KPK vendosi me 4 dhjetor 2019, ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin Agim Bendo, si dhe ndalimin e tij për t’u emëruar si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Bendo e kundërshtoi vendimarrjen e KPK duke pretenduar se shkaku i dorëheqjes së tij ka qenë dalja në pension pleqërie që dy muaj përpara se Këshilli i Lartë Gjyqësor të merrte vendimin për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit dhe 3 muaj përpara se Komisioni të merrte vendimin. Subjekti e quan të pabazuar sanksionin e vendosur ndaj tij.

Trupi gjykues i KPA sjell në vëmendje përcaktimet kushtetuese në kuadër të procesit të vetingut, që urdhërojnë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit dhe sanksionimin me ndalimin e riemërimit në sistemin e drejtësisë, në rastet kur subjektet e rivlerësimit heqin dorë nga detyra gjatë procesit të rivlerësimit ndaj tyre.

“Në momentin që subjekti i rivlerësimit, me vullnetin e tij të lirë ndërpret detyrën e gjyqtarit që e bën atë subjekt të procesit të rivlerësimit ex officio, duhet të marrë parasysh edhe pasojën ligjore që sjell dorëheqja nga detyra në ecurinë e procesit të rivlerësimit, sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës”, vlerëson në vijim Kolegji lidhur me sanksionine.

“Ndodhemi para mbarimit të statusit të magjistratit të subjektit të rivlerësimit Agim Bendo, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit. Për rrjedhojë, trupi gjykues gjen të drejtë dhe të bazuar në ligj vendimin e Komisionit në pikën 2 të dispozitivit të tij, që parashikon ndalimin e subjektit të rivlerësimit për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare[…]”, konkludon trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Albana Shtyllan, Rezarta Schuetz e Sokol Çomon.

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative. Edmond Hoxhaj


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *