January 13, 2022

KPA la në fuqi shkarkimin e Alketa Nushit vetëm për shkeljet profesionale

Shpërndaje lajmin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi me shumicë pjesët e vendimit të KPK që shkarkonin Alketa Nushin për “cënim të besimit të publiku” dhe “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”, por la në fuqi shkarkimin për papërshtatshmëri në kriterin e profesionalizmit.  

Drejtuesja e Prokurorise se Kukesit, Alketa Nushi pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u nda 3 me 2 për mënyrën se si duhej të vlerësoheshin problemet e pasurisë së ish-prokurores Alketa Nushi, por KPA ishte unanime në vendimin për shkarkimin e Nushit sa i përket shkeljeve të gjetura në kriterin e profesionalizmit.

Nushi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga Etleda Çiftja, Lulzim Hamitaj dhe Firdes Shuli në 27 qershor 2019, për shkelje në kriterin e profesionalizmit, pamjaftueshmëri deklarimit pasurisë dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia.

Ish-prokurorja kundërshtoi këtë vendim në Kolegj dhe trupa e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Natasha Mulaj, anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz, i dha të drejtë pjesërisht Nushit, por la në fuqi vendimin bazuar në shkeljet mbi tre çështje të hetuara nga ishin prokurorja.

Të pestë anëtarët e KPA kanë rënë dakord se subjekti në përfundim të vlerësimit “gjendet në kushtet që duhet vlerësuar si i papërshtatshëm”. Sipas Kolegjit ish-prokurorja ka treguar cilësi “të papranueshme në punë në atë shkallë sa programi i trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës nuk mund t’i rikuperojë ato”.

Në mënyrë unanime KPA vendosi të rrëzojë pikën e vendimit të Komisionit sipas të cilës ish-prokurorja ka cënuar besimin e publikut te drejtësia. Kolegji arsyeton se megjithëse integriteti i ish-prokurores “do të duhej të konsiderohej me mangësi”, Komisioni nuk kishte arsyetuar siç duhet cënimin e besimit të publikut te drejtësia.

Ndërkohë Kolegji u nda sa i përket rivlerësimit të pasurisë. Gjyqtarët Ina Rama, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari arsyetuan se pasaktësitë në deklarime nuk ishin të tilla që të sillnin shkarkimin. Në mendim paralel Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz arsyetojnë se Nushi kishte bërë “deklarim të rremë” dhe vendimi i KPK duhej të qëndronte edhe në këtë pikë.

Vendimi mbi procedurën dhe privatësinë

Në vendimin e zbardhur të Kolegjit del se të pestë anëtarët kanë rënë dakord se pretendimet e Nushit në lidhje me shkeljen e procedurave nga KPK dhe cënimin e privatësisë së saj nuk qëndronin.

Në arsyetim Kolegji i është referuar gjatë vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në rastin e ish-gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj kundër Shqipërisë.

Sipas KPA Nushi pretendonte se në vendimmarrjen e KPK kishte “shkelje të së drejtës së respektimit të jetës private” dhe “dëmtimin e rëndë të reputacionit profesional”.

Por Kolegji arsyeton bazuan në vendimin e GjEDNj-së, se “Ndalimi i përjetshëm i vendosur ndaj kërkueses dhe individëve të tjerë të shkarkuar për shkak të shkeljeve të rënda etike nuk është në kundërshtim ose në raport të zhdrejtë me objektivin legjitim ndjekur nga Shteti për të siguruar integritetin e detyrës gjyqësore dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”.

KPA thotë se nuk gjeti shkelje të procedurës  dhe se pretendimi i subjektit se ka pasur shkelje të së drejtës së jetës private duke dëmtuar rëndë reputacionin profesional, nuk u gjet i bazuar.

Njëlloj Kolegji rrësoi pretendime të tjera të Nushit, bazuar kryesisht mbi problemet teknike të  korrespondencës me KPA, njohjen me materialet dhe pyetësorët. Kolegji arsyetoi se subjektit i ishin dhënë të drejtat dhe koha e mjaftueshme për mbrojtje.

Mendimet paralele mbi pasurinë

Me shumicë Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi se Nushi nuk kishte bërë shkelje të atilla në deklarimin e pasurive sa të penalizohej me shkarkim. Nga sa del në vendimin e zbardhur në rastin e ish-prokurores trupa u fokusua në deklarimin e të ardhurave të bashkëshortit.

Sipas vendimit në deklaratën veting subjekti kishte pretenduar se i shoqi kishte paguar tatime si biznes i vogël për xhiro deri në shumën 2 milion lekë. Por se vetë ajo kishte sjellë prova përmes faturave të thjeshta tatimore se për vitin 2009 dhe 2011 qarkullimi/xhiroja vjetore ishte më shumë se 3 milion lekë dhe jo 0-2 milionë lekë siç pretendohej në deklarime.

Por shumica në KPA arsyeton se pas marrjes në konsideratë të të gjitha deklarimeve, Nushi rezultonte me një bilanc negativ prej vetëm 294.390 lekë, të pamjaftueshme për ta ngritur në shkak shkarkimi.

Njësoj shumica e trupit gjykues vlerësoi se pasaktësitë në deklaratat e interesave privatë periodikë, nuk mund të konsideroheshin skualifikuese.

Në pakicë me ketë pjesë të vendimit Mulaj dhe Schuetz arsyetuan se deklarimet e Nushit ishin të rreme dhe se ajo dhe bashkëshorti kishin kryer evazion fiskal. Sipas pakicës vendimi i KPK në pjesën e pasurisë duhej të lihej në fuqi dhe Nushi duhej të shkarkohej edhe për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Qëndrimi mbi profesionalizmin

Sa i përket profesionalizmit KPA e ka bazuar vendimin e saj në tre hetimet të zhvilluara nga Nushi të cilat siç del edhe në arsyetim ishin me mangësi. Kolegji thotë se në një rast, pas një përleshje me një të plagosur Nushi edhe pse kishte nisur hetime penal për plagosjen, kishte ndryshuar në vijim masat e sigurisë dhe ishte tërhequr nga disa prej akuzave pa arsyetim se pse kjo kishte ndodhur.

Sipas vendimit një prej të akuzuarve i arrestuar për “moskallëzim krimi”, ishte lënë i lirë 9 ditë pas përplasjes dhe më pas ishte arratisur. Nushi pretendonte se ndryshimi i masës së sigurisë ishte bërë pas një deklarate noteriale të palës me të cilën ishte konfliktuar në të cilën thuaj se marrëdhëniet ishin normalizuar. Por KPA thotë se hetimet tregonin që kishte palë të tjera në konflikt dhe se arratisja e të dyshuarit tregonte se situata ishte vlerësuar keq.

“Nga trupi gjykues i Kolegjit u evidentuan mangësi profesionale për sa i përket hetimit të rrethanave të çështjes dhe përcaktimin e personave përgjegjës dhe rolin e gjithsecilit, mangësi në drejtim të kualifikimit të veprës penale, mosvlerësim i duhur i kushteve dhe kritereve për caktimin e masave të sigurimit”, thuhet në vendim.

Njëlloj trajtohet çështja e një rasti të ngjashëm në të cilën një person i akuzuar fillimisht për “tentativë vrasje” po prej Nushit i zbutet akuza në plagosje të lehtë nga pakujdesia. Siç del nga vendimi eprorët e Nushit e kishin rrëzuar vendimmarrjen e saj dhe më pas personi në fjalë ishte dënuar për plagosje të lehtë.

KPA rrëzoi pretendimet e Nushit se kjo vepër penale nuk kishte qëndruar gjatë gjykimit në Apelin e Tiranës. KPA thotë se Gjykata e Apelit kishte hequr dënimin për këtë vepër për shkak të amnistisë, por kjo nuk përjashtonte prokuroren nga përgjegjësia dhe nga moskryerja e një sërë veprimesh hetimore. KPA thotë se i akuzuari kishte qëlluar dy herë dhe se pretendimi se bëhej fjalë për pakujdesi në këtë rast nuk ishte logjik.

“Në këtë kuptim, pakujdesia si formë faji nuk duket logjike të lidhet me përdorimin e armës, të paktën dy herë, gjetjen në vendin e ngjarjes të një gëzhoje dhe një fisheku, për këtë arsye vërehet mangësi në arsyetimin e vendimit të pushimit të hetimeve në ngarkim të personit nën hetim F. N”, thuhet në vendim.

KPA gjeti si të rëndë edhe mos shpalljen në kërkim të një personi, që siç del në vendim, kishte përvetësuar pensionet e invalididetit të disa personave.

Kolegji shprehet se shkeljet e “konstatuara në dosjet penale të trajtuara në kuadër të vlerësimit të aftësive profesionale në këtë vendim, marrin kuptim e tjetër peshë në konsideratë të informacioneve që rezultojnë nga agjencitë ligjzbatuese”. Sipas trupës denoncimet ndaj Nushit edhe pse nuk u provuan morën besueshmëri për shkak të këtyre dosjeve.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *