Shpërndaje lajmin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me shumicë votash, rrëzoi ankimin e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfed Agolli ndaj vendimit të Komisionit që e largoi nga detyra. 

Kreu i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, Alfred Agolli, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto:LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të martën më 13 korrik lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Ardian Hajdarin, Ina Ramën dhe Natasha Mulajn, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e Agollit kundër vendimit të Komisionit, me shumicë votash, vendosi ta rrëzojë atë.

KPK vendosi më 8 korrik 2019 të shkarkojë nga detyra prokurorin Alfred Agolli pasi u konkludua se nuk kishte arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor të çështjes kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Problemi kryesor i evidentuar nga Komisioni ishte mosdeklarimi i një huaje që kishte shërbyer për blerjen e një apartamenti në Gjirokastër. Nga hetimi administrativ u konstatuan probleme edhe për profesionalizmin, ndërsa një raport negativ i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar u rrëzua si i pabazuar.

Alfred Agolli e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe e ushtroi funksionin fillimisht në Prokurorinë e Gjirokastrës. Në vitin 2008, ai u emërua drejtues i Prokurorisë së Sarandës ndërsa në vitin 2013 u promovua drejtues i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, detyrë që e ushtroi deri në shkarkimin nga detyra.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *